nga Prof. Përparim Kabo
Ajo që pritej po ndodh: zhgënjimi i grumbulluar i njerëzve ditë pas dite dhe durimi që u mbarua. Tani pakënaqësia po ushqen protestën gjithëpopullore në të gjithë vendin. Hedonizmi aventurier, grabitja e tmerrshme e pasurive kombëtare nga një grusht njerëzish pranë dhe në pushtet, vjedhja e pronës publike dhe asaj private të qytetarit, mungesa e zhvillimit ekonomik, shkatërrimi i tregut të prodhimit vendas, shpopullimi i territoreve të tëra, marrëveshjet me investitorë strategjikë dhe paketa e maleve, ligji vrasës 7501, arsimi dhe shëndetësia me investime të mjerueshme, dhe nga ana tjetër jeta luksoze e qeveritarëve dhe e fëmijëve të tyre krijojnë një kontrast të mprehtë.
U besua se nga viti 2016, kur u votua paketa antikorrupsion, organet e reja të sistemit të drejtësisë do të bënin pastrimin ligjor të klasës politike, por kjo nuk ndodhi. Ndryshimet janë minimale dhe me sfond të dyshimtë të interesave të errëta. Shumica parlamentare, me arrogancë dhe mendjemadhësi, e ka kthyer aprovimin e ndryshimeve ligjore në një formalitet procedure, ndërsa opozita shoqëron kundërshtimin e hapur me bashkëpunimin e individëve të saj për interesa tregu me pozitën.
Të dyja palët janë të humbura. Gjendja e sotme e pakënaqësisë masive është një histori e vetme 35-vjeçare. Nuk ka politikan me jetë normale; të gjithë janë shumë të pasur nga bizneset, jo nga paga. Popullit i lanë varfërinë, pasigurinë për jetën dhe ikjen nga vendi.
Qeverisja dhe pushteti i përqendruar
Qeveria aktuale pretendon se ka sjellë modernitetin, por nuk ka garantuar normalitetin dhe garancitë sociale të jetës. Reforma administrative territoriale është shprehje e përqendrimit të pushtetit në pak duar, dhe kjo gjendje shpreh një krizë të thellë në qeverisje. Sa më shumë pushtet në pak duar, aq më shumë mungesë sovraniteti i deleguar për popullin.
Pushteti nuk është forcë administrative, por marrje përsipër e të qenit shërbyes publik. Protesta, me futjen e studentëve, mori përmasa të një uragani shoqëror. Ajo nuk ndalet sepse shpreh idealin më të lartë, dashurinë për atdheun, për një Shqipëri të denjë me qytetarë të respektuar ekonomikisht në dinjitetin njerëzor. Çfarë duhen vinçat dhe ndërtimet kudo kur të rinjtë, edhe me dy jetë, nuk e blejnë dot atë shtëpi banimi.
Protesta, të rinjtë dhe përgjegjësia shoqërore
Pa punë të garantuar, pa shtëpi, çfarë mbetet si zgjidhje? Ikja. Por studentët nuk duan më të ikin; ata duan atdheun e tyre që politika e ktheu në treg dhe tani dëshiron ta tregtojë. Protestës iu shtua edhe shpërthimi i dhunës me zjarre dhe thyerje, kryesisht nga adoleshentë nga familjet e këputura, të cilat nuk i rrisin dot fëmijët jo se nuk duan, por se nuk munden.
Megjithatë, edhe ata janë pjesë e shoqërisë sonë; fatkeqësia e tyre është përgjegjësi gjithëshoqërore. Vërtet ata kanë shkaktuar dëme në objektet urbane dhe aktivitete private, por dëmi më i madh është motivimi i tyre për t’i bërë ato veprime. Ata janë rritur pa fëmijëri, pa kinema, pa teatër kukullash, pa cirk, pa rrethe jashtëshkollore, pa kampe pushimesh.
Demokracia pushtetore atyre u la liri vetëm rrugën dhe veset e saj. Policia e ka humbur qetësinë, është nën trysninë e urdhrit dhe ndeshjen me shkelësit, por dhuna ndaj një të pambrojturi nuk të bën polic të rendit.
Mjaft zbatuat urdhra që ju shpien në veprime të pakontrolluara; ju jeni shqiptarë, jeni familjarë dhe disa prej jush edhe prindër. Bashkohuni me protestuesit paqësorë, sepse dalja nga ky sistem hajnash është edhe në të mirën e fëmijëve tuaj.
Në historinë e ndryshimit do hyjë ai deputet që i pari do të largohet nga parlamenti duke hequr dorë nga mandati. Është koha për një qeveri tranzitore dhe për nisjen e ribërjes së demokracisë funksionale, me mirëqenie dhe shërbime publike dinjitoze.
Shqipëria (dhe fati e ecuria e saj) nuk është e politikanëve, por e shqiptarëve.
Burimi: www.albeu.com



