Nga Gëzim Kabashi
Gërryerja e lumit Shkumbin po kërcënon rrugën turistike dhe investimet në zonën bregdetare të Vilë Bashtovës, ndërsa vendasit pohojnë se zhvendosja e shtratit të lumit u ka marrë tokën bujqësore dhe po vë në rrezik të ardhmen e fshatit.
Tetori po mbyllet me ditët e tij të fundit me diell, por në Vilë Bashtovë, rreth 18 kilometra larg Rrogozhinës, sezoni turistik duket se ka marrë fund.
Ndryshe nga shumë zona të tjera të bregdetit shqiptar, banorët e kësaj zone nuk i janë dorëzuar tundimit për të ndërtuar shtëpi betoni pranë detit. Objektet prej druri, të ngritura midis bregdetit dhe pyllit me pisha, kanë mbetur të qeta pas largimit të pushuesve.
Megjithatë, rreziku për të ardhmen e turizmit në këtë zonë nuk vjen nga ndërtimet. Ai po vjen nga rrjedha e poshtme e lumit Shkumbin.
“Problemi i vërtetë për Vilë Bashtovën prej shumë vitesh mbetet grykëderdhja e pakontrolluar e Shkumbinit,” deklaroi për BIRN Arben Tepelena, i cili drejton një biznes turistik në zonë.
Sipas tij, erozioni po e zhvendos kthesën e fundit të lumit drejt veriut, duke e afruar rrjedhën gjithnjë e më shumë me rrugën turistike, e cila tashmë ndodhet vetëm katër deri në pesë metra larg ujit.
“Në këtë mënyrë lumi mund të na marrë të gjithëve,” paralajmëroi Tepelena.
Vilë Bashtova dhe lumi Shkumbin
I shtrirë mes tokave bujqësore, pyjeve me pisha dhe brigjeve të Adriatikut, pranë grykëderdhjes së lumit Shkumbin, Vilë Bashtova është një fshat i Bashkisë Rrogozhinë, historia e të cilit është e lidhur ngushtë me lumin dhe detin. Në Mesjetë, Bashtova shërbente si qendër e tregtisë së drithërave, ndërsa në shekullin XV venecianët ngritën aty një kala për të kontrolluar rrugët tregtare drejt Adriatikut.
Gjatë periudhës komuniste, fshati u shndërrua edhe në vend internimi për familjet e përndjekura politikisht, gjurmët e të cilave ruhen ende në ndërtesat e asaj kohe. Sot, bujqësia dhe turizmi bregdetar përbëjnë burime jetese për banorët, por erozioni i lumit Shkumbin dhe shpopullimi po vënë në pikëpyetje të ardhmen e fshatit.
Rreziku është më i dukshëm në shtigjet që lidhin rrugën me plazhin dhe brigjet e lumit, atje ku Shkumbini ka gërryer vit pas viti tokën që e ndan nga karrexhata e asfaltuar.
Në pamje të parë ujërat rrjedhin qetësisht, por kjo qetësi është mashtruese. Përmbytjet janë të shpeshta dhe gërryerja e brigjeve po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Shqetësimi i banorëve mbështetet edhe nga ndryshimet e vërejtura në terren. Gjatë një vizite të BIRN pesë vjet më parë, distanca midis rrugës dhe lumit ishte të paktën 30 metra.
Në vitin 2021, Tepelena paralajmëronte se, nëse nuk ndërhyhej, rrjedha e Shkumbinit do të ndryshonte hartën e zonës, duke rrezikuar të përpinte rrugën turistike dhe investimet përreth. Pesë vjet më vonë, paralajmërimi i tij duket gjithnjë e më pranë realizimit.
Shkumbini, i njohur historikisht edhe si një kufi simbolik mes dialekteve të gegërishtes dhe toskërishtes, po kërcënon të ndryshojë sërish rrjedhën e tij, këtë herë në drejtim të plazheve të Spillesë.
Shkrimtari kavajas Nazmi Roli kujton se në antikitet romakët e quanin lumin Genusus dhe se grykëderdhja e tij ka ndryshuar disa herë gjatë historisë.
Sipas Rolit, burimet historike dhe gjetjet e herëpashershme në terren sugjerojnë se rreth dy mijë vjet më parë lumi derdhej më në veriperëndim, mes plazheve të sotme të Spillesë dhe Karpenit.
Ai thotë se gjatë shekullit të kaluar brigjet dhe rrjedha e lumit mbroheshin nga prita me gurë dhe blloqe betoni, struktura që, sipas tij, prej kohësh mungojnë.
Më larg rrjedhës së lumit ngrihet Kalaja e Bashtovës, monumenti venecian që është restauruar së fundmi dhe mbetet një nga atraksionet kryesore historike të zonës.
Të dielën e shkuar në mesditë, në kala ndodhej vetëm një familje vizitorësh. Shërbimi i guidës kishte përfunduar bashkë me sezonin veror.
Humbja e tokave bujqësore dhe shpopullimi
Në bar-kafenë përballë kalasë, Sinan Shala, ish-kryetar i njësisë administrative, tregon se ndryshimi i hartës së Vilë Bashtovës nuk është thjesht një kërcënim për të ardhmen. Për shumë familje, ai ka sjellë tashmë pasoja konkrete.
“Gërryerja e lumit në krahun e fshatit tonë i ka ‘transferuar’ 730 hektarë toka bujqësore të Vilë Bashtovës drejt Bashkisë së Divjakës,” tha Shala për BIRN.
Sipas tij, zhvendosja e rrjedhës së lumit ka bërë që qindra familje të fshatit të humbasin tokat e tyre bujqësore.
“Me një fjalë, 180 familje të fshatit tonë, për shkak të lumit, i kanë humbur tokat e tyre,” shtoi ai.
Por krahas erozionit dhe humbjes së tokave bujqësore, fshati po përballet edhe me largimin e banorëve.
Shala thotë se shumë familje janë shpërngulur, ndërsa shkolla e fshatit ka mbetur me më pak nxënës sesa mësues.
“Familja e djalit tim banon në Tiranë, por Gilani, nipi im shtatëvjeçar, këtë vit shkollor iu shtua 13 nxënësve dhe 17 mësuesve të shkollës,” tregoi ai. “Përpiqemi ta ruajmë kështu Vilë Bashtovën,” përfundoi Shala.
Burimi: gazetadita.al