Në mbarë vendin dhe në Belsh, fermerët dhe prodhuesit po përballen me vështirësi për të tregtuar vajin e ullirit, ndërsa çmimi ka rënë në 500 lekë/l.
Prodhimi i mirë, tregu i vështirë
Në Belsh, prodhimi i ullirit këtë sezon është i mbarë, por fermerët po hasin vështirësi në tregtimin e vajit. Çmimi i shitjes me shumicë nëpër fabrika ka rënë në rreth 500 lekë për litër, nga 700 lekë që ishte një vit më parë.
“Ça çmimi thua? E merr me 5 mijë lekë, kurse një vit më parë ishte 700 lekë.”, shprehet një nga fermerët.
Kostot dhe mungesa e punëtorëve
Përveç çmimit të ulët, fermerët ankohen për kostot e larta të vjeljes dhe mungesën e punëtorëve.
“Shpenzohen rreth 600 mijë lekë të vjetra vetëm për plehra kimike, plus spërkatje dhe vaditje. Në total, më shkon rreth 2 milionë lekë të vjetra”, tha fermeri.
Shitja e vajit dhe magazinat
Sipas tyre, shkaku i rënies së çmimit është mungesa e kërkesës në tregun ndërkombëtar, por edhe rënia e fuqisë blerëse në tregun vendas. Në këto kushte, shumë fermerë po zgjedhin ta mbajnë vajin në magazina, në pritje të një çmimi më të favorshëm.
“Vijnë tregtarët e vegjël dhe e kërkojnë me 350 lekë, gjë që nuk na leverdis. Unë kam vajin e vitit të kaluar dhe kam ende 440 litra pa shitur.”, u shpreh ai.
Sipas INSTAT, në vitin 2025 prodhimi i ullinjve në Shqipëri ishte 143.4 mijë tonë. Në nivel qarqesh, Fieri kryeson dhe pas tij renditet Elbasani me 26 mijë tonë. Në këtë qark bën pjesë dhe bashkia e Belshit.
Burimi: shqiptarja.com










