Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Azemi: Mijëra të rinj largohen nga Kosova për shkak të kushteve të rënda

Azemi: Mijëra të rinj largohen nga Kosova për shkak të kushteve të rënda
Foto: gazetaexpress.com

Largimi i qytetarëve nga Kosova po shndërrohet në një sfidë serioze për ekonominë dhe tregun e punës në vend. Pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës, mungesa e sigurisë dhe pabarazia në trajtimin e punëtorëve të sektorit privat po i shtyjnë shumë qytetarë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit. Ndërsa kompanitë po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, shqetësues mbetet edhe largimi i punëtorëve të kualifikuar, duke rrezikuar zhvillimin e bizneseve dhe ekonomisë së vendit.

Shqetësimi i sindikatës

Për këtë situatë ka ngritur shqetësimin edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili për Ekonomia Online ka kritikuar institucionet për mungesën e masave konkrete në mbrojtje dhe përkrahje të punëtorëve.

Azemi ka deklaruar se vetëm këtë vit janë dikund rreth 45 mijë punëtorë dhe të rinj që e kanë lëshuar vendin.

“Por të dhënat përafërsisht janë që dikund rreth 45.000 punëtorë dhe të rinj e kanë lëshuar Kosovën gjatë këtij viti. Shkaku kryesor është gjendja ekonomike sociale shumë e rëndë. Qeveria nuk ka bërë pothuajse gati asgjë për këta punëtorë, që së paku me mundësitë e saj të ruajë këtë fuqi punëtore që e kemi. Fakti është që mesatarisht 4.500 vetë na largohen brenda muajit. Normal që edhe zyrtarisht doli ATK-ja se dikund rreth 40 mijë punëtorë ende nuk e gëzojnë të drejtën e pagës minimale”, deklaroi Azemi.

Diskriminimi ndaj punëtorëve privatë

Azemi ka ngritur shqetësimin edhe për trajtimin e pabarabartë të punëtorëve të sektorit privat në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se të parët nuk përfitojnë pagën e 13-të.

Ndërsa, ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 24 raste vdekjeje të punëtorëve në vendet e punës në sektorin privat.

“Fakti që punëtorët e sektorit privat të Kosovës nuk e marrin pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit publik e marrin, është i padrejtë. Vetëm këtë vit kemi 24 raste vdekjeje në vendet e tyre të punës, sepse puna e tyre është me një rrezikshmëri shumë më të lartë. Qeveria nuk e ka bërë as minimumin që mund ta bënte, dhe shumica e këtyre punëtorëve kanë mbetur në vështirësi, ndaj orientimi kryesor është ikja nga Kosova”, deklaroi Azemi.

Azemi ka theksuar se punëtorët e sektorit privat kontribuojnë ndjeshëm në buxhetin e Kosovës.

Ai ka kritikuar dallimin në përkrahjen financiare nga Qeveria, duke thënë se për rreth 80 mijë punëtorë të sektorit publik janë ndarë mbi 60 milionë euro, ndërsa për mbi 200 mijë punëtorë të sektorit privat vetëm 10 milionë euro.

“Ne jemi punëtorë që e mbushim me pagat tona rreth 3/4 e buxhetit të Kosovës, sepse jemi trefish më shumë se punëtorët e sektorit publik. Punojmë trefish më shumë dhe prodhojmë trefish më shumë, ndërsa punëtorët e sektorit publik, që janë në një farë forme shpenzues të shtetit, stimulohen me pagë të 13-të, kurse për ne as që thonë fjalën më të vogël të mirë. Para pak kohësh Qeveria e Kosovës ndau mbi 60 milionë euro për 80 mijë punëtorë të sektorit publik, ndërsa ne jemi mbi 200 mijë punëtorë dhe për ne ndau faktikisht vetëm 10 milionë euro”, tha Azemi.

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar

Përfaqësuesi i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës ka shprehur shqetësimin për mungesën e punëtorëve të kualifikuar në vend, duke thënë se kjo po ndikon drejtpërdrejt në realizimin e projekteve të ndryshme.

Azemi shtoi se shumë kompani po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa punëtorët që po vijnë nga vende si Bangladeshi nuk kanë gjithmonë kualifikimet e nevojshme për të punuar me makineritë bashkëkohore.

Ai theksoi se sindikata do të vazhdojë të kërkojë përmirësimin e kushteve të punëtorëve, përfshirë rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit privat.

“Kosova prej kohësh ka mbetur pa fuqi punëtore. Kemi ende punëtorë, por nuk kemi punëtorë të kualifikuar të aftë për të kryer punë adekuate, sepse punëtorët e përgatitur profesionalisht janë detyruar të largohen nga Kosova, pasi nuk i kemi paguar mirë ose nuk kemi krijuar kushte minimale. Nëse shkoni te kompanitë, do të shihni që nuk ka kompani në Kosovë pa mungesë punëtorësh, dhe aq më keq kur mungesa është te punëtorët e kualifikuar. Shpesh marrim punëtorë nga Bangladeshi dhe vende të tjera, por ata nuk mund të punojnë, për shembull, me makineri më bashkëkohore, ndërsa punëtorët tanë vendas ishin ata që i dinin këto punë. Si sindikatë e sektorit privat do të kërkojmë pagën minimale prej 600 euro dhe ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit privat. Gjatë kësaj jave ose javën tjetër do t’i thërras kryetarët e shoqatave sindikale dhe do të përgatisim një peticion para Qeverisë së Kosovës, që të dinë se edhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie, edhe ne jemi pjesë e punëtorëve që japin më së shumti për Kosovën dhe marrin më së paku”, theksoi ai.

Kushtet e rënda të punës

Ai ka theksuar se punëtorët e sektorit privat po detyrohen të punojnë në shi, borë dhe temperatura të ulëta, duke shtuar se po ndihen të diskriminuar sa i përket pagës së 13-të.

“Është normale të ndihemi të diskriminuar. Kur del jashtë, sheh punëtorë të sektorit privat që punojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda, në shi, në borë dhe në temperatura shumë të ulëta. Të qëndrosh në shi në këto kohë është shumë i rëndë, pa folur për punët që duhet t’i kryejnë. Ndërsa punëtorët që qëndrojnë gjatë gjithë kohës në temperatura të mira brenda marrin pagën e 13-të, kjo nuk është e pranueshme as në aspekt ligjor, as në aspekt njerëzor. Padrejtësitë janë bërë dhe ikja e punëtorëve është kaq e madhe, sa unë mendoj që në dhjetë vitet e fundit janë mbi 500 mijë punëtorë që e kanë lëshuar Kosovën. Nuk e kanë lëshuar nga dëshira, por nga imponimi”, deklaroi ai.

Lejet e qëndrimit në BE

Sipas të dhënave të Institutit GAP, gjatë vitit 2025 shtetasve të Kosovës iu lëshuan 43 mijë e 747 leje të para të qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian. Prej tyre, 28 mijë e 566 u lëshuan nga Gjermania, e cila prin me numrin më të madh të lejeve, e ndjekur nga Italia me 3 mijë e 795 dhe Sllovenia me 3 mijë e 733 leje.

Rreth 99 për qind e lejeve të qëndrimit u lëshuan nga vetëm dhjetë shtete të BE-së. /EO/

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha