Ekonomia po përballet me një periudhë pasigurie të shtuar. Rreziqet për rritje të çmimeve janë shtuar, ndërsa rreziqet për ngadalësim ekonomik janë edhe më të dukshme.
Inflacioni dhe presionet e reja
Sipas raportit të fundit të INSTAT, inflacioni në tetor ishte 3.4%, po aq sa në korrik, ndërsa në gusht dhe shtator pati një nivel më të ulët.
Enian Çela nga Departamenti i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, në emisionin “Portofol” në Report TV, thekson se inflacioni, edhe pse mbetet i kontrolluar, do të vazhdojë të rritet edhe në muajt në vijim.
“Kemi presione më të larta inflacioniste, krahasuar me vitin e kaluar. Presionet vijnë si nga rritja ekonomike, ndërsa presionet e huaja për shkak të luftës po sjellin shtrenjtim të naftës, energjisë dhe produkteve të tjera”, tha Çela.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se deri tani rritja e çmimit të karburantit nuk është transmetuar në të gjitha produktet si efekt zinxhir.
“Rritja e çmimit të naftës është diçka që përcillet në gjithë ekonominë dhe në të gjithë elementët e tjerë. Por ende nuk kemi vënë re një përcjellje të fortë në produktet e tjera”, thekson Çela.
Politika monetare në pritje
Mes këtyre pasigurive dhe inflacionit në rritje, Banka e Shqipërisë prej muajsh ka vendosur të mos ndryshojë politikën monetare dhe ta mbajë normën bazë të interesit në 2.5%. Çela thotë se situata mund të ndryshojë nëse lufta zgjatet.
“Banka e Shqipërisë i merr vendimet në bazë të inflacionit, por inflacioni 9-mujor është 2.9%, në nivelin e politikës monetare. Arsyeja e dytë lidhet me rritjen e inflacionit nga komponentë jo bazë. Në këtë situatë, nëse Këshilli Mbikëqyrës do të ndërhynte, do të rritej norma bazë e interesit. Nëse lufta zgjatet në kohë dhe presionet inflacioniste bëhen më të zgjatura, edhe ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë do të ndryshojë”, thekson ai.
Euro përballë lekut
Euro vijon të humbasë terren përballë lekut. Brenda 10 viteve, euro është zhvlerësuar me ritme të shpejta dhe aktualisht kushton 45.6 lekë më pak. Edhe pse mesatarja e këmbimit në tetor ishte 91.3 lekë, ditët e fundit euro po këmbehet deri në 89 lekë.
Por a mund të bjerë edhe më shumë euro? I pyetur në emisionin “Portofol” në Report TV, Enian Çela tha se Banka e Shqipërisë nuk parashikon se ku mund të shkojë kursi i këmbimit. Ai shpjegoi se në treg po hyn shumë valutë, kryesisht nga investimet e huaja direkte.
“Kursi i këmbimit nuk është diçka që parashikohet nga Banka e Shqipërisë. Ne vetëm mund të analizojmë arsyet pse kursi i këmbimit është aty ku është dhe pse ka këtë lloj tendence.
Arsyet lidhen me zhvillime strukturore në ekonomi, ose më saktë, me përmirësime strukturore, dhe janë të lidhura kryesisht me sektorin e jashtëm. Nga njëra anë kemi deficitin e llogarisë korrente, i cili, gjatë së njëjtës periudhë kur kursi i këmbimit është forcuar, është ngushtuar ndjeshëm. Besoj se para 10 vitesh deficiti arrinte pothuajse në vlera dyshifrore, ndërkohë që vitin e kaluar ka qenë pothuajse në nivelin zero, pra 0.7% në raport me PBB-në. Marrëdhënia jonë me botën e jashtme është përmirësuar ndjeshëm.
Nga ana tjetër, paralelisht me këtë, kemi edhe flukse shumë të larta hyrëse valutore, kryesisht në formën e investimeve të huaja direkte, të cilat financojnë deficitin, dhe pjesa e mbetur qëndron në treg. Nëse një mall ka ofertë të lartë në treg, përgjithësisht vlera e tij bie. Ajo që rritet në këtë rast është monedha vendase.
Ne vërejmë që këto kushte kanë vazhduar gjatë gjithë kësaj periudhe të forcimit dhe janë të pranishme edhe gjatë vitit 2026. Nuk mund t’ju them për tremujorin e katërt, as për tremujorin e tretë, sepse shifrat janë ende të padisponueshme. Megjithatë, bazuar në të dhënat indirekte që kemi, situata ka vazhduar dhe vazhdon edhe gjatë këtij viti. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë, sepse ne veprojmë në një regjim të lirë të kursit të këmbimit.”, thekson ai.
Kursi i këmbimit euro-lekë
KURSI I KËMBIMIT EURO-LEKË
Tetor 2016: 1 € / 136.9 lekë
Tetor 2017: 1 € / 133.7 lekë
Tetor 2018: 1 € / 125.2 lekë
Tetor 2019: 1 € / 123.1 lekë
Tetor 2020: 1 € / 124.0 lekë
Tetor 2021: 1 € / 121.7 lekë
Tetor 2022: 1 € / 117.3 lekë
Tetor 2023: 1 € / 105.8 lekë
Tetor 2024: 1 € / 98.7 lekë
Tetor 2025: 1 € / 96.7 lekë
Tetor 2026: 1 € / 91.3 lekë
Burimi: shqiptarja.com










