Një mesazh kërcënues për shpërthim bombe u gjet në tualetin e një avioni të linjës Manchester–Rinas, pak para uljes në aeroportin e Rinasit.
Pas njoftimit nga menaxheri i aeroportit, policia ndërhyri menjëherë, duke mundësuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve dhe kontrollin e avionit, bagazheve dhe udhëtarëve.
Në operacion u angazhuan edhe qen anti-eksplozivë, por verifikimet nuk konstatuan asnjë lëndë shpërthyese. Antiterrori dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për identifikimin e personit që e shkroi letrën kërcënuese.
Ndërhyrja e policisë gjatë uljes
Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit, shërbimet e Policisë Kufitare u njoftuan nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë u organizuan dhe ndërhynë në pistë, duke mundësuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas u krye kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Kontrolli i pasagjerëve dhe hetimi
Pasagjerët u kontrolluan në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk u konstatua asnjë send shpërthyes.
Për rastin u njoftua edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që e shkroi letrën.
Burimi: shqiptarja.com










