TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Bashkia e Shkodrës ka filluar punimet për rikonstruksionin e Shtëpisë së Fëmijës për moshat 6-15 vjeç, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe krijimin e ambienteve më të përshtatshme për fëmijët.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, njoftoi se investimi financohet nga buxheti i bashkisë dhe përfshin një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturën e godinës.
Punimet parashikojnë rikonstruksionin e ambienteve të brendshme, shtrimin e dyshemeve, hidroizolimin e tarracës, rikonstruksionin e tualeteve dhe përmirësimin e instalimeve elektrike.
Gjithashtu, në kuadër të këtij investimi prej 10.986.792 lekësh me TVSH, mensa do të pajiset me mobilie të reja, me synimin e përmirësimit të kushteve dhe funksionalitetit të ambienteve të përbashkëta.
Sipas Becit, punimet kanë një afat zbatimi prej tre muajsh dhe synojnë krijimin e një mjedisi më të ngrohtë, më të sigurt dhe më komod për fëmijët që jetojnë në këtë institucion.
Ndërhyrja synon përmirësimin e infrastrukturës dhe të kushteve të përditshme për fëmijët, përmes investimit në ambientet ku ata jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre.


/k.s/r.e/
Burimi: ata.gov.al









