Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Xhahid Bushati sjell Kuq e Zi, libër që frymëzon dashurinë atdhetare

Xhahid Bushati sjell Kuq e Zi, libër që frymëzon dashurinë atdhetare
Foto: balkanweb.com

Xhahid Bushati: “Kuq e Zi”, një libër ku frymon dashuria atdhetare

Libri “Kuq e Zi” i shkrimtares Rovena Rrozhani, botuar nga Mediaprint, Tiranë, 2026, ndërton një urë të bukur ndërmjet historisë, poezisë, gjuhës shqipe dhe edukimit atdhetar të fëmijëve. Veçanërisht interesante është ndërthurja e tri përbërësve: poezisë, grimcave historike dhe lojërave edukative. Kjo e bën librin jo thjesht një përmbledhje poetike për festën e Flamurit, por një udhëtim njohës dhe emocional në historinë dhe identitetin shqiptar.

KUQ E ZI – KU HISTORIA FLET PËR ISMAIL QEMALIN DHE, DASHURIA PËR SHQIPËRINË, FLAMURIN, ALFABETIN DHE GJUHËN SHQIPE MBETEN PJESË E SHPIRTIT DHE TË SHOQËROJNË GJITHË JETËN, HAP PAS HAPI…

Rreth librit “Kuq e Zi” të shkrimtares Rovena Rrozhani, Botime Mediaprint, Tiranë, 2026.

Në rrugëtimin e letërsisë për fëmijë, ka libra që i tregojnë fëmijës një histori, ka libra që e mësojnë me një poezi, por ka edhe libra që përpiqen t’i japin atij një ndjenjë, një përkatësi dhe një kujtesë që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës. Në këtë kategori do ta vendosja librin “Kuq e Zi” të shkrimtares Rovena Rrozhani. Është një libër që e merr fëmijën për dore dhe e çon nëpër disa prej udhëve më të rëndësishme të historisë dhe të identitetit shqiptar: te flamuri, te Pavarësia, te Ismail Qemali, te alfabeti dhe te gjuha shqipe.

Që në titull, “Kuq e Zi”, autorja vendos përballë lexuesit dy ngjyrat që mbartin një histori të tërë kombëtare. Ato nuk janë vetëm ngjyra të një flamuri. Janë shenja të kujtesës, të qëndresës, të bashkimit dhe të përkatësisë. Për fëmijën, kuq e zi mund të jenë fillimisht dy ngjyra që dallohen në një vizatim, por, nëpërmjet poezisë dhe historisë, ato shndërrohen në një simbol me kuptim shumë më të thellë.

Rovena Rrozhani nuk zgjedh një rrëfim të vetëm, të gjatë dhe tradicional, për t’ia përcjellë historinë lexuesit të vogël. Ajo ndërton një strukturë të veçantë, ku ndërthuren poezia, grimcat historike dhe lojërat. Kjo mënyrë organizimi është një nga veçoritë më të rëndësishme të librit. Fëmija nuk mbetet vetëm dëgjues ose lexues i një informacioni, por bëhet pjesëmarrës në zbulimin e tij. Lexon, mendon, përgjigjet, plotëson, kërkon fjalë, formon fjali dhe rikrijon njohuritë e sapomarra.

Poezia si hyrje në kujtesën kombëtare

Poezia “Vjeshta kuq e zi” e vendos atmosferën e festës në një stinë të veçantë, në vjeshtën shqiptare të Nëntorit. Nëpërmjet pyetjeve që e shoqërojnë, fëmija nxitet të kujtojë stinën e Festës së Pavarësisë, veshjen tradicionale të përmendur në poezi dhe urimin që i drejtohet kësaj dite. Por pyetja më domethënëse është ajo që lidhet me ndjenjën: çfarë ndien kur e lexon poezinë?

Këtu libri kalon nga njohuria te përjetimi. Nuk mjafton që fëmija të dijë datën 28 Nëntor. Është e rëndësishme të kuptojë përse ajo ditë është e shënuar, çfarë përfaqëson dhe çfarë ndjenjash zgjon te shqiptarët. Historia nuk duhet të mbetet një datë e mësuar përmendësh, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes.

Një dimension tjetër emocional sjell poezia “Larg Shkova”. Vargjet: “Edhe pse jam larg, / Shumë larg Atdhe, / Në zemër të kam, / Në zemër më ke!” – përmbledhin një ndjenjë të fuqishme malli dhe lidhjeje shpirtërore me vendlindjen. Atdheu nuk është vetëm hapësira gjeografike ku njeriu ka lindur. Ai është edhe kujtesa e fëmijërisë, gjuha e nënës, zëri i familjes, këngët, zakonet, festat dhe simbolet që njeriu i merr me vete kudo që shkon. Kjo poezi ka rëndësi të veçantë edhe për fëmijët shqiptarë që jetojnë larg Shqipërisë. Ajo u përcjell idenë se largësia nuk e shuan përkatësinë. Njeriu mund të largohet fizikisht nga vendi i tij, por nuk është e domosdoshme të largohet shpirtërisht prej tij. Gjuha dhe kujtesa bëhen ura që lidhin brezat me Atdheun.

Nga fjala poetike te fjala historike

Rubrika “Grimca historike” është një ndërthurje e rëndësishme e librit, sepse plotëson atë që poezia e shpreh nëpërmjet figurës dhe emocionit. Tema si “Gjuha dhe shkolla shqipe” dhe “Rruga drejt Pavarësisë” e çojnë fëmijën drejt njohjes së përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre.

Këto grimca historike kanë një funksion të dyfishtë: informojnë dhe ndërgjegjësojnë. Fëmija mëson se gjuha shqipe nuk është një dhuratë e rastësishme, por një pasuri e trashëguar dhe e mbrojtur nga breza të tërë. Pas saj qëndrojnë përpjekjet e rilindësve, mësuesve, shkrimtarëve dhe patriotëve që e kuptuan se një popull nuk mund ta ndërtojë të ardhmen pa ruajtur gjuhën e vet.

Në këtë kontekst, rubrika e lojës “Gjej fjalët: kuq e zi, Shqipëria, xhamadan, flamur, plis, i pavarur, patriot” merr një kuptim që shkon përtej argëtimit. Secila fjalë është një shenjë e identitetit. Fëmija mëson jo vetëm kuptimin e saj, por edhe lidhjen që ajo ka me historinë dhe kulturën shqiptare.

Nëntori i Kastriotit dhe Qemalit: dy kohë, një kujtesë kombëtare

Një vend të rëndësishëm zë poezia “Nëntori i Kastriotit dhe Qemalit”. Vetë titulli krijon një lidhje simbolike ndërmjet dy figurave madhore të historisë shqiptare: Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Ata u përkasin periudhave të ndryshme historike, por në kujtesën kombëtare përfaqësojnë dy momente themelore të qëndresës dhe të afirmimit të shqiptarëve. Skënderbeu lidhet me luftën për liri dhe me mbrojtjen e vendit, ndërsa Ismail Qemali me aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912. Në këtë mënyrë, Nëntori bëhet një pikë takimi e historisë. Ai nuk kujton vetëm një ngjarje, por mbart jehonën e një përpjekjeje të gjatë kombëtare.

Rubrika historike “Qemali apo Vlora?” dhe ajo për “Fisnikët e Shqipërisë” e zgjerojnë këtë horizont njohjeje. Ndërsa loja “Ngrije flamurin në Vlorë” e vendos fëmijën në një marrëdhënie simbolike me qytetin ku u shpall Pavarësia. Loja nuk është më thjesht një veprimtari zbavitëse; ajo shndërrohet në një mënyrë për të përvetësuar një ngjarje historike.

Flamuri, alfabeti dhe gjuha: tri shtylla të identitetit

Në poezitë “Vizatimi më i bukur”, “Festa e flamurit”, “Në zemrën time”, “Sekreti i flamurit” dhe “F si Flamuri”, autorja i rikthehet disa herë simbolit të flamurit. Ky përsëritje nuk është e rastësishme. Flamuri është boshti që bashkon pjesët e ndryshme të librit. Ai paraqitet si simbol i përkatësisë, por edhe si një kujtesë e gjallë e historisë. Fëmija mund ta vizatojë, ta ngjyrosë, ta përshkruajë, të shkruajë për të dhe të krijojë fjali që lidhen me të. Nëpërmjet këtyre veprimtarive, flamuri bëhet një përvojë personale dhe jo vetëm një objekt që shihet gjatë festimeve.

Veçanërisht e rëndësishme është lidhja e tij me alfabetin dhe gjuhën shqipe. Në rubrikën “Grimca historie: Një alfabet për gjuhën shqipe”, libri i drejton fëmijët drejt një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë kulturore: “Dokumenti i Greçës, që u bë programi kombëtar i kryengritjeve shqiptare”. Kjo temë është thelbësore për edukimin e brezit të ri. Flamuri përfaqëson simbolin e shtetit dhe të kombit, ndërsa gjuha përfaqëson një nga themelet e identitetit të tij. Një popull e ruan kujtesën jo vetëm nëpërmjet monumenteve dhe dokumenteve, por edhe nëpërmjet fjalës së shkruar, të folur dhe të trashëguar.

Loja “Gjej fjalë me dy rrokje”, veprimtaria me shkronjën F dhe formimi i një teksti për flamurin, si dhe ushtrimet për gjetjen e rrokjeve dhe formimin e fjalëve, krijojnë një lidhje të natyrshme ndërmjet edukimit gjuhësor dhe edukimit atdhetar. Këtu qëndron edhe një vlerë pedagogjike e librit: fëmija nuk mëson ta dojë gjuhën shqipe vetëm duke dëgjuar se ajo është e bukur dhe e rëndësishme. Ai mëson ta dojë duke e përdorur, duke lexuar, duke shkruar dhe duke zbuluar pasurinë e saj.

Ismail Qemali: figura historike që bëhet pjesë e botës së fëmijës

Në disa pjesë të librit, Ismail Qemali del si figura qendrore e rrëfimit historik. Poezitë “Me 28 Nëntor”, “Nata para Pavarësisë”, “Fjala e Ismail Qemalit”, “Deklarata e Pavarësisë” dhe “Një ditë pas Pavarësisë” krijojnë një vijimësi tematike që e ndihmon fëmijën të kuptojë jo vetëm aktin e shpalljes së Pavarësisë, por edhe atmosferën historike që e parapriu dhe pasojat e tij.

Veçanërisht domethënëse është “Nata para Pavarësisë”, e lidhur me “Natën pa gjumë të Ismail Qemalit”. Kjo temë e afron figurën historike me dimensionin njerëzor. Fëmija nuk sheh vetëm burrin e shtetit, por edhe njeriun që përballet me përgjegjësi të mëdha në një çast vendimtar për fatin e vendit. Përmes poezisë “Fjala e Ismail Qemalit” dhe rubrikës për imazhin e Skënderbeut, autorja krijon një vazhdimësi simbolike ndërmjet historisë së hershme dhe asaj moderne shqiptare.

Edhe “Deklarata e Pavarësisë” dhe “Një ditë pas Pavarësisë” kanë rëndësi të veçantë. Ato i japin fëmijës mundësinë të kuptojë se historia nuk përbëhet vetëm nga çaste solemne, por edhe nga përgatitje, shqetësime, vendime, komunikime dhe përgjegjësi.

Loja e deshifrimit të alfabetit mors, e vendosur pranë temës “Mesazhe pa internet dhe celularë?”, është një mënyrë interesante për ta lidhur të kaluarën me përvojën e sotme të fëmijës. Ajo e nxit të kuptojë se komunikimi njerëzor ka pasur forma të ndryshme dhe se teknologjia e sotme nuk është e vetmja mënyrë për të përcjellë mesazhe.

Historia nuk është vetëm e kaluara, por edhe një mënyrë për të kuptuar të tashmen

Rubrika “Shpresa dhe zhgënjime”, “Libri i kuq (Dokumenti i Greçës)”, “Shpëtimi i Shqipërisë”, “Pavarësia – ëndërr e kahershme”, “Shqiptar i përkryer” dhe “Duam gjuhën tonë” dëshmojnë se libri synon të hapë një hapësirë më të gjerë njohjeje. Nëpërmjet këtyre temave, fëmija kupton se Pavarësia nuk erdhi si një dhuratë e papritur. Ajo ishte fryt i një historie të gjatë përpjekjesh, idealesh, sakrificash dhe aspiratash.

Këtu libri fiton një vlerë edukative të veçantë. Ai nuk e paraqet atdhedashurinë si një ndjenjë të kufizuar në ditët e festave. Përkundrazi, e lidh atë me njohjen e historisë, me respektin për gjuhën, me përgjegjësinë qytetare dhe me dëshirën për të kontribuar në të ardhmen e vendit.

Veprimtaria “Shkruaj një letër për Atdheun” është veçanërisht domethënëse. Ajo e fton fëmijën të shprehë me fjalët e veta marrëdhënien me vendin ku jeton ose prej nga vjen familja e tij. Kështu, Atdheu nuk mbetet një koncept abstrakt, por bëhet një adresë e zemrës.

Fotografitë dhe profili i Ismail Qemalit: dokumenti që plotëson fjalën

Një vlerë plotësuese e librit është përfshirja e fotografive nga jeta dhe formimi i Ismail Qemalit, si dhe një profili kushtuar figurës së tij. Fotografia ka një funksion të veçantë në librat për fëmijë. Ajo e bën historinë më të prekshme, e afron personazhin historik me lexuesin dhe i jep atij mundësinë të krijojë një përfytyrim konkret për njeriun që deri atëherë mund ta ketë njohur vetëm nga tekstet shkollore ose nga përmendjet në ceremonitë festive.

Profili i Ismail Qemalit plotëson këtë njohje, duke e vendosur figurën e tij në një kontekst biografik dhe historik. Kështu, fëmija mund të lidhë emrin, portretin, jetën dhe veprën e një personaliteti me ngjarjen e madhe të 28 Nëntorit 1912.

Loja si metodë pedagogjike dhe si mënyrë e të nxënit

Një nga meritat e strukturës së “Kuq e Zi” është se loja nuk paraqitet si diçka e shkëputur nga përmbajtja, por si vazhdim i saj. Fjalëkryqet, formimi i fjalëve, gjetja e rrokjeve, krijimi i fjalive me shkronjën F, deshifrimi i alfabetit mors, identifikimi i vendeve ku ndodhen bustet, monumentet, muzetë dhe sheshet kushtuar Pavarësisë dhe Ismail Qemalit janë veprimtari që kërkojnë vëmendje dhe pjesëmarrje.

Në këtë mënyrë, libri ndërton një metodë të të nxënit përmes ndërveprimit. Fëmija nuk e merr të gatshme çdo njohuri, por nxitet ta zbulojë vetë. Ky është një parim i rëndësishëm pedagogjik: njohuria bëhet më e qëndrueshme kur fëmija merr pjesë aktivisht në përvetësimin e saj. Ai nuk mëson vetëm përmendësh, por lidh, krahason, zbulon dhe krijon.

Edhe pyetjet që shoqërojnë poezitë kanë rëndësi. Ato nuk kërkojnë vetëm përgjigje faktike, por në disa raste e nxisin fëmijën të shprehë mendimin dhe emocionin personal. Kështu, leximi bëhet një proces komunikimi ndërmjet autorit, tekstit dhe lexuesit të vogël.

Dashuria për Atdheun: nga ndjenja te përgjegjësia

Mesazhi kryesor që përshkon librin është dashuria për Shqipërinë dhe respekti për simbolet e saj. Por kjo dashuri nuk paraqitet si një ndjenjë statike. Ajo kalon nga emocioni te njohja, nga njohja te përgjegjësia. Fëmija që lexon “Kuq e Zi” nuk mëson vetëm të ndjejë krenari për flamurin, por edhe të kuptojë se ruajtja e gjuhës, e historisë dhe e kujtesës është një detyrë e përbashkët.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha