Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Opinion

Pse çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se në Kosovë dhe Europë?

Pse çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se në Kosovë dhe Europë?
Foto: shqiptarja.com

Ushqimet bazë janë më të shtrenjta në Shqipëri se në Kosovë. Miell, qumësht, oriz, vaj, makarona, djathë, gjalpë, bukë, ujë, speca, domate, qepë dhe gjithë perimet janë 20% deri 50% më lirë në Kosovë.

Shqipëria ka çmimet më të larta të produkteve të përditshme jo vetëm krahasuar me Kosovën, por edhe me gjithë rajonin dhe Evropën. Në supermarketet Penny, Lidl dhe Aldi në Gjermani apo Itali, çmimet janë 10%–60% më të ulëta se në supermarketet e Shqipërisë.

Shqipëria del tani jo vetëm si vendi më i shtrenjtë, por edhe me cilësinë më të ulët ushqimore në Evropë. Ja pse çmimet në tregun shqiptar janë kaq të larta, krahasuar me Kosovën:

Arsyet e çmimeve më të larta

  • Shumë toka në Shqipëri nuk punohen, ndërsa fshatrat e Kosovës kanë fuqi punëtore dhe prodhuese. Toka në Kosovë punohet dhe mbillet kudo. Shqipëria nuk ka prodhim vendas sa Kosova.
  • Shqipëria importon shumicën e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Importi rrit çmimin automatikisht për shkak të transportit, doganave etj.
  • Shkaku kryesor lidhet me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Në Shqipëri ushqimet tatohen me TVSH 20 për qind, ndërsa Kosova ka TVSH 8% për ushqimet bazë.
  • Çmimi i lartë i karburantit në Shqipëri rrit kostot e transportit, krahasuar me Kosovën, ku karburanti është shumë më i lirë.
  • Kostot doganore në Shqipëri arrijnë 10%, ndryshe nga Kosova.
  • Shqipëria ka monopole të rrezikshme në tregun e produkteve ushqimore, të cilat shkatërrojnë konkurrencën dhe mbajnë çmimet e larta. Kosova nuk ka këtë problem në të njëjtën masë.

Kosova ka një politikë më të orientuar drejt subvencionimit të fermerëve në blegtori dhe në prodhimet bujqësore.

Paradoksi me lekun dhe euron

Të gjithë faktorët e mësipërm e bëjnë çmimin e konsumit të përditshëm në Shqipëri të pakrahasueshëm me Kosovën.

Por në supermarketet ku shiten ushqime të importuara, situata duhej të ishte e kundërta. Lekët u forcuan me 25% kundrejt eurosë gjatë këtyre viteve, gjë që duhej të sillte ulje të çmimeve. Të gjitha supermarketet në Shqipëri shesin në lekë, por shumicën e ushqimeve i blejnë jashtë vendit me euro. Në vend që t’i ulnin çmimet, ato i kanë rritur.

Tregtarët e Kosovës blejnë dhe shesin me euro, pasi kanë të njëjtën monedhë me Evropën.

Ky është një abuzim i rëndë me konsumatorët shqiptarë, të cilët varfërohen çdo ditë dhe nuk arrijnë të blejnë as ushqimet jetike.

Monopolet dhe korporatat e huaja

Oligarkët e ushqimit e kanë bllokuar tregun dhe po pengojnë korporatat gjermane dhe evropiane (Lidl, Penny) të hapin filialet e tyre në Shqipëri. Këto korporata do të ulnin çmimet dhe do t’i nxirrnin jashtë tregut abuzuesit e tre dekadave të fundit.

Kjo analizë mbështetet vetëm te çmimet. Nuk hyn në cilësinë ushqimore dhe as te produktet e skaduara, jashtë afateve dhe pa asnjë standard, që shiten në marketet shqiptare.

Prandaj, mos u ankoni kurrë pse turistët nga Kosova vijnë në bregdet me “bukë dhe ushqime” me vete.

Ka ardhur koha që të kushtojë më lirë të shkosh deri në Prizren dhe të kthehesh me ushqime, sesa të zbresësh te minimarketi i lagjes, ku çmimet duken sikur je në qendër të Parisit.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha