Një 25-vjeçar në Tiranë është arrestuar në flagrancë pasi tentoi t’i marrë 1 milion euro një ndërtuesi 54-vjeçar, duke u prezantuar në rrjetet sociale si kryeministri Edi Rama.
Arrestimi në flagrancë
Sipas Policisë, 25-vjeçari Albi Muça nga Tirana u kap duke marrë shumën e kërkuar të parave. Ai dyshohet se përdori aplikacionin Signal për t’i shkruar ndërtuesit, duke u paraqitur si kryeministri Rama.
Denoncimi i ndërtuesit
Sipas burimeve për Report Tv, i dyshuari i kishte thënë ndërtuesit se do të dërgonte një person tjetër për të marrë paratë. Ndërtuesi kuptoi se bëhej fjalë për një tentativë mashtrimi dhe e denoncoi rastin në polici përpara se të binte pre e skemës.
Operacioni “Request” dhe hetimi
Policia njofton se operacioni i koduar “Request” u finalizua falë veprimeve hetimore me metoda speciale, të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale. Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale persona të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe në raste të tjera me të njëjtin mekanizëm kriminal.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Burimi: shqiptarja.com










