Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës po vazhdon operacionin për prishjen e strukturave të ndërtuara pa leje në zonat përreth liqeneve akumuluese.
Ministrja Fitore Pacolli njoftoi se inspektorati i ministrisë e ka zhvendosur aksionin pranë Liqenit të Ujmanit, pasi më parë përfundoi shembjen e ndërtimeve të paligjshme dhe pastrimin e zonës rreth Liqenit të Radoniqit.
Sipas saj, kjo fazë përfshin gjashtë objekte të ndërtuara pa leje, konkretisht katër veranda dhe dy shtëpi.
Ajo paralajmëroi se i njëjti operacion do të shtrihet më pas në zonat që rrethojnë liqenet e Batllavës dhe Badovcit.
Pacolli shkroi në një postim se mbrojtja e liqeneve dhe burimeve ujore është përgjegjësi e përbashkët, duke paralajmëruar se ndërtimet e paligjshme që cenojnë pasuritë natyrore nuk do të tolerohen.
Ministrja Pacolli deklaroi se “Ligji do të zbatohet pa përjashtim!” dhe shtoi se operacioni për heqjen e ndërtimeve pa leje do të mbulojë edhe zonat e tjera ujore të vendit.
Burimi: www.albeu.com










