Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Komisioni i Kuvendit viziton Gjykatën dhe Prokurorinë e Tiranës për vonesat hetimore

Komisioni i Kuvendit viziton Gjykatën dhe Prokurorinë e Tiranës për vonesat hetimore
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Deputetët e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilluan vizita pune në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare për vitin 2026.

Vizitat kishin në fokus respektimin e procesit të rregullt ligjor, të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe vonesat në çështjet hetimore e gjyqësore dhe mundësitë për të reduktuar numrin e dosjeve të prapambetura.

Takimi në Gjykatën e Shkallës së Parë

Gjatë takimit me drejtuesit dhe stafin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, diskutimet u përqendruan te ecuria e çështjeve të prapambetura, ngarkesa e gjyqtarëve dhe plotësimi i organikës.

Deputetët u informuan se ngarkesa e punës në dhomën penale kishte shënuar rënie pas plotësimit të saj. Gjithashtu, u trajtuan nevojat për sekretarë gjyqësorë dhe ndihmës ligjorë, procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe roli i drejtimit të gjykatës në organizimin e punës dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e çështjeve.

Takimi në Prokurorinë e Tiranës

Ndërsa në Prokurorinë e Tiranës, vëmendja u përqendrua te ecuria e dosjeve të prapambetura, plotësimi i organikës dhe përdorimi i sistemit elektronik për menaxhimin e çështjeve dhe shpërndarjen e tyre me short.

Gjatë diskutimeve u evidentuan edhe vështirësitë në gjetjen e dosjeve gjatë transferimit të prokurorëve, bashkëpunimi me policinë për administrimin e dosjeve dhe referimin e çështjeve, si dhe përcaktimi i përparësive në trajtimin e tyre.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte kapaciteti i prokurorisë për të përmbushur kërkesat e Kodit të Procedurës Penale.

Përfundimet dhe hapat e mëtejshëm

Sipas Kuvendit, në të dyja institucionet u trajtuan plotësimi i organikës dhe organizimi i punës si faktorë që mund të ndikojnë në uljen e numrit të çështjeve të prapambetura dhe shmangien e vonesave në hetime e gjykime.

Informacioni i mbledhur gjatë vizitave do të shërbejë për vijimin e mbikëqyrjes parlamentare, zhvillimin e seancave dëgjimore publike, përgatitjen e raporteve dhe formulimin e rekomandimeve për institucionet përgjegjëse.

Kuvendi synon që përmes këtij procesi të kontribuojë në trajtimin e dy problematikave që, sipas tij, preokupojnë aktualisht qytetarët dhe vetë sistemin e drejtësisë: zvarritjen e proceseve dhe numrin e lartë të çështjeve të prapambetura.

Komisioni i Kuvendit viziton Gjykatën dhe Prokurorinë e Tiranës për vonesat hetimore
Komisioni i Kuvendit viziton Gjykatën dhe Prokurorinë e Tiranës për vonesat hetimore
Komisioni i Kuvendit viziton Gjykatën dhe Prokurorinë e Tiranës për vonesat hetimore

1 nga 4


/gj.m/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha