Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Airbnb kufizon detyrat e pastrimit për mysafirët

Airbnb kufizon detyrat e pastrimit për mysafirët
Foto: kultplus.com

Rregullat e reja u ndalojnë pritësve t’u kërkojnë mysafirëve të lajnë enët, të heqin çarçafët nga shtretërit ose të nxjerrin mbeturinat jashtë pronës, ndërsa lejojnë kërkesa të arsyeshme gjatë largimit.

Airbnb ka prezantuar rregulla të reja që kufizojnë detyrat e pastrimit që pritësit mund t’u kërkojnë mysafirëve t’i kryejnë, pas ankesave për listat e gjata të detyrave gjatë largimit dhe kërkesave të papritura, transmeton Anadolu.

Politika e re zbatohet për rezervimet e bëra më 20 nëntor ose pas kësaj date dhe nuk ndryshon automatikisht kushtet e rezervimeve ekzistuese.

Sipas rregullave, pritësit në përgjithësi nuk mund t’u kërkojnë më mysafirëve të lajnë dhe të vendosin në vend enët, të heqin çarçafët nga shtretërit, të nisin larjen e rrobave ose të nxjerrin mbeturinat jashtë pronës.

Megjithatë, pritësit mund t’u kërkojnë mysafirëve t’i vendosin enët e përdorura në lavaman, të mbledhin peshqirët, të ndajnë mbeturinat dhe materialet e riciklueshme në koshat e caktuar brenda pronës ose të fikin kondicionerin para largimit.

Airbnb tha se ndryshimet vijnë pas viteve të tëra komentesh dhe sugjerimesh nga udhëtarët.

“Mysafirët na kanë thënë prej vitesh se detyrat e pastrimit para largimit dhe rregullat e papritura i bëjnë ata të hezitojnë të rezervojnë përmes Airbnb”, tha kompania.

Kufizime të reja për rregullat e shtëpisë

Airbnb tha se pritësit mund të zgjedhin mes shtatë rregullave standarde të shtëpisë, që përfshijnë numrin e mysafirëve që qëndrojnë gjatë natës, kafshët shtëpiake, duhanpirjen, orarët e qetësisë, organizimin e aktiviteteve, fotografimin dhe filmimin për qëllime komerciale, si dhe mbylljen e pronës para largimit.

Rregulla shtesë lejohen, por ato duhet të jenë të arsyeshme dhe të bëhen të ditura në seksionin e caktuar të njoftimit të pronës para kryerjes së rezervimit.

Pritësit nuk mund të vendosin kërkesa të reja pas rezervimit përmes mesazheve, tabelave brenda pronës ose personalisht.

Politika gjithashtu në përgjithësi ua ndalon pritësve të kufizojnë qasjen në shërbimet e reklamuara ose të vendosin gjoba sipas dëshirës së tyre.

Airbnb tha se mund të miratohen përjashtime në varësi të kushteve të pronës dhe rrethanave lokale.

Këto mund të përfshijnë kërkesën që mbeturinat të hidhen në mënyrë të sigurt kundër kafshëve në zonat ku ka arinj, ose kufizimin e përdorimit të dushit gjatë kufizimeve të ujit të vendosura për shkak të thatësirës.

Shqyrtimi i njoftimeve do të vazhdojë deri në mars 2027

Airbnb tha se do të nisë shqyrtimin e njoftimeve të pronave, ndërsa kontrollet fillestare do të vazhdojnë deri në mars 2027, pas së cilës do të vijojë monitorimi i vazhdueshëm.

Pritësit, rregullat e të cilëve do të identifikohen si problematike, do të njoftohen përmes emailit dhe aplikacionit.

Ata do të kenë të paktën 20 ditë kohë për të ndryshuar rregullat ose për të paraqitur ankesë kundër vendimit.

Në njoftimet e pronave ku mbeten rregulla të pamiratuara mund të shfaqet një paralajmërim për klientët e mundshëm, ndërsa shkeljet e përsëritura mund të çojnë në uljen e dukshmërisë në rezultatet e kërkimit ose në masa të tjera ndëshkuese.

Airbnb tha se mysafirët vazhdojnë të jenë përgjegjës për t’i lënë pronat në një gjendje që nuk kërkon pastrim të tepruar.

Sipas politikës së kompanisë për mysafirët, pritësit nuk mund të vendosin tarifa për moskryerjen e detyrave të caktuara të pastrimit ose të largimit, megjithëse mund të vlerësojnë pastërtinë e mysafirëve në komente. / KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha