Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Meloni: Italia propozon garanci sigurie sipas Nenit 5 për Ukrainën

Meloni: Italia propozon garanci sigurie sipas Nenit 5 për Ukrainën
Foto: ata.gov.al

BERLIN, 20 nëntor /ATSH-ANSA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kërkoi që grupi evropian i përfshirë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, të ketë një mandat të qartë, duke përcaktuar objektivat e tij, propozimet që do të paraqesë dhe kushtet që nuk do të pranojë, në marrëveshjen e ardhshme.

Qëndrimi i përbashkët i Evropës

Gjatë takimit të Koalicionit të Vullnetshëm në Berlin, Meloni theksoi se vendet evropiane duhet të bashkërendojnë qëndrimet e tyre me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që Evropa të ketë një rol të përcaktuar në procesin e negociatave.

Ajo iu referua vendimit të marrë nga liderët në takimin e mëparshëm në Dublin, për krijimin e një ekipi evropian, që do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me Ukrainën dhe administratën amerikane.

“Ne vendosëm se si do ta shoqërojmë këtë proces: përmes një ekipi evropian, që punon ngushtë me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani duhet t’i japim këtij ekipi një mandat të qartë: çfarë kërkojmë, çfarë ofrojmë dhe çfarë nuk do të pranojmë kurrë”, deklaroi Meloni.

Garancitë e sigurisë për Ukrainën

Një nga çështjet kryesore të diskutimit është krijimi i garancive të sigurisë për Ukrainën, të cilat do të shërbenin për të parandaluar një agresion të ri rus pas përfundimit të luftës.

Meloni bëri të ditur se Italia ka propozuar një model garancish të frymëzuar nga Neni 5 i Traktatit të NATO-s, i cili parashikon se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar, konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve dhe kërkon ndihmën e tyre për vendin e sulmuar.

Propozimi italian synon të krijojë një mekanizëm sigurie për Ukrainën, të mbështetur në parimin e mbrojtjes kolektive, edhe nëse vendi nuk bëhet anëtar i NATO-s.

“Ne nuk vijmë duarbosh. Koalicioni po punon për garancitë e sigurisë, përfshirë angazhimin e frymëzuar nga Neni 5 i NATO-s, të propozuar nga Italia. Ky model tashmë është në tryezën e negociatave”, u shpreh Meloni.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Ukraina do të përfitojë automatikisht nga mbrojtja e Nenit 5, pasi propozimi parashikon një model të veçantë garancish, i cili duhet të negociohet dhe të miratohet nga palët.

Thirrja për një qëndrim të qartë

Kryeministrja italiane theksoi se Evropa duhet të jetë e përgatitur, të paraqesë një qëndrim të përbashkët dhe të përcaktojë qartë kushtet e saj në çdo marrëveshje të ardhshme për Ukrainën. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha