Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Përkujtohet kleriku, poeti dhe patrioti Ndre Mjeda

Përkujtohet kleriku, poeti dhe patrioti Ndre Mjeda
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor të vitit 1866, lindi në Shkodër, kleriku, atdhetari, filologu, poeti dhe veprimtari i shquar i Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda.

Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet fetare i vijoi në disa vende të Evropës, ndër to në Spanjë, Itali dhe Poloni. Në vitin 1883 studioi në Kroaci retorikë, latinisht dhe italisht.

Më 1901, së bashku me të vëllanë, Lazër Mjedën, themeloi shoqërinë kulturore dhe gjuhësore “Agimi”, e cila hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe dhe botoi një varg librash shkollorë të mbështetur në këtë sistem shkrimi.

Në vitin 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, si përfaqësues i Shkodrës, së bashku me figura të tjera të shquara të kulturës dhe lëvizjes kombëtare shqiptare, ndër të cilët At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi dhe Mati Logoreci. U zgjodh anëtar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit të Njësuar të Shqipes dhe dha ndihmesë në procesin e njësimit të alfabetit.

Nga viti 1916 ishte anëtar i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, e cila luajti një rol të rëndësishëm në diskutimin dhe përcaktimin e çështjeve të gjuhës letrare shqipe.

Në vitet 1920–1924, Ndre Mjeda u përfshi në jetën politike të vendit dhe u zgjodh deputet. Pas ndryshimeve politike të vitit 1924, u tërhoq nga veprimtaria politike dhe vijoi shërbimin fetar në Kukël, ku kishte shërbyer si famullitar që prej vitit 1907 deri më 1930. Nga viti 1930 deri në fund të jetës dha mësim në Kolegjin Jezuit në Shkodër.

Ndër krijimet e tij më të njohura është poezia “Gjuha shqipe”, ku shprehet dashuria e thellë për gjuhën amtare. Poema “Andrra e jetës” përbën një nga krijimet më përfaqësuese të poezisë shqipe, ku përmes një realizmi të ndjeshëm artistik pasqyrohen vuajtjet, varfëria dhe vështirësitë e jetës së njerëzve të thjeshtë. Në krijimet “Lissus” dhe “Scodra”, përmes evokimit të historisë së lashtë të këtyre qyteteve, Mjeda shpreh interesimin për të kaluarën historike dhe identitetin shqiptar. “Lirija”, botuar më 1937, përfaqëson një tjetër dëshmi të frymëzimit të tij atdhetar dhe të idealit të lirisë.

Mjeda dha një ndihmesë të rëndësishme edhe në fushën e gjuhësisë, përmes studimeve në gramatikë, leksikologji dhe historinë e gjuhës shqipe. Ai u mor gjithashtu me studimin e teksteve të vjetra shqipe, duke kontribuar në njohjen dhe vlerësimin e trashëgimisë së hershme të shkrimit shqip, përfshirë veprat e autorëve si Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani.

Ndre Mjeda ndërroi jetë më 1 gusht 1937, në Shkodër. /j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha