Deputetja e PS, Elisa Spiropali, ka akuzuar Belinda Ballukun për presione ndaj familjes së saj duke përdorur institucionet shtetërore dhe drejtorët besnikë që ka emëruar në pozicione kyçe.
Akuzat e Spiropalit ndaj ish-zv-kryeministres
Duke folur në një intervistë, Spiropali artikuloi për herë të parë me emër Belinda Ballukun, duke thënë se ajo i ka ushtruar presion asaj dhe familjes, përmes drejtorit të Tatimeve, Ilir Binaj, të cilin publikisht e quajti “të emëruarin personal” të ish-zv-kryeministres.
“Të pandehur, me dosje, me problematika të rënda me drejtësinë, mund ende të përdorin institucionet e shtetit shqiptar për t’i bërë presion deri edhe ish-kryetares së Kuvendit, deputetes së Partisë Socialiste. Atëherë, çfarë ndodh me individët që protestojnë në rrugët e Shqipërisë? Kush u shkon atyre në derë? Kush u shkon? Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i cili është i emëruari personal i Belinda Ballukut, ministri që është i emëruar prej saj, apo qeveria e cila është brenda kësaj gjykatëse”, deklaroi dje Spiropali.
Reagimi i Binajt
Binaj, në një reagim në rrjete, shkruan se ka qenë Spiropali dhe bashkëshorti i saj që kanë ushtruar presion ndaj Tatimeve dhe inspektorëve.
“Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali. Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese. Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha…”
n.s. / dita
Burimi: gazetadita.al










