Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Blushi në UET: Personazhet e mi janë të vdekur ose të çmendur

Blushi në UET: Personazhet e mi janë të vdekur ose të çmendur
Foto: euronews.al

“Personazhet e mi janë të vdekur ose të çmendur”, kjo ishte përgjigjja e shkrimtarit Ben Blushi në auditorin e Universitetit Evropian të Tiranës, kur u pyet pse në librin e tij të fundit “Historitë e çmendura të Tiranës” janë përfshirë 100 personalitete që kanë jetuar përgjatë 400 viteve të fundit në qytetin e Tiranës.

Sipas kritereve të tij, Blushi pranoi se ka përfshirë figura të njohura dhe të panjohura, ndërsa me vetëdije ka lënë jashtë të tjerë, si Ismail Kadare apo Dritëro Agolli, të cilët lexuesi mund t’i presë në faqet e librit.

Shkrimtarët dhe ndikimi i tyre

Blushi tha se shkrimtarët sot e kanë humbur ndikimin dhe peshën që kishin në shekujt e 19-të dhe 20-të. Sipas tij, në atë periudhë u krijua letërsia më e mirë, dhe klasikët e asaj kohe, si Dostojevski, Pushkini, Gogoli, Viktor Hugo, Alexandre Dumas, Flaubert dhe Goethe, lexohen edhe sot.

“Si shkrimtar para 50 apo 100 vjetësh ishe një lloj stari, një yll. Sot yjet nuk janë më ata që shkruajnë, bëjnë libra, por janë ata që dalin në Instagram. Pra, bota ka ndryshuar shumë shpejt. Disa zanate, sidomos ato që merren më shumë me shpirtin, se shpirti është i padukshëm, nuk dalin në Instagram ose në Facebook, dhe këto po avullojnë. Shkrimtarët, për fat të keq, nuk e kanë sot peshën e shumë viteve më parë, kur teknologjia nuk e kontrollonte botën aq shumë sa sot”, u shpreh Blushi.

Nderimi dhe vlerësimi akademik

Përveç diskutimit për librin dhe letërsinë, Blushi u nderua me Certifikatë Mirënjohjeje nga Universiteti Evropian i Tiranës, “për kontributin pionier në prozë e eseistikë shqipe, finesën stilistike dhe promovimin e vlerave krijuese, që mishërojnë frymën e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale”.

Presidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, e cilësoi Blushin si një fenomen të letërsisë shqipe.

“Njeriu i mençur e di ku është vendi më i çmuar për ta harxhuar kohën e tij. Ndoshta politika e humbi një personalitet si Blushi, por nga ana tjetër e fitoi bota e letrave, dhe mendoj që sot zoti Blushi përbën një nga penat, një nga fenomenet letrare të padiskutueshme. Unë vetë jam admirues dhe lexues i veprave të tij. Më kanë ngelur shumë në mendje, por të jetosh në Ishull ka qenë për mua ndoshta libri më interesant”, tha Prof. Xhepa.

Karriera letrare

Nga “Të jetosh në ishull”, libri i parë me të cilin u prezantua si shkrimtar në vitin 2008, deri te “Historitë e çmendura të Tiranës”, i botuar së fundmi, Ben Blushi numëron dhjetëra tituj, personazhe dhe histori përgjatë karrierës së tij letrare, gati 20-vjeçare, duke lënë kontributin e tij në letërsinë dhe kulturën shqipe.

“Shpresoj shumë që letërsia të mbijetojë, dhe këto janë arsyet pse ne shkrimtarët shkruajmë akoma dhe e bëjmë këtë zanat”, përfundoi Blushi.

Blushi në UET: Personazhet e mi janë të vdekur ose të çmendur

1 / 5

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha