Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester-Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare u njoftuan nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Ndërhyrja e Policisë në pistë
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë u organizuan dhe ndërhynë në pistë, duke bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas u krye kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Kontrolli i pasagjerëve dhe i bagazheve
Pasagjerët u kontrolluan në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk u konstatua asnjë send shpërthyes.
Hetimi
Për rastin u njoftua edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.
Burimi: insajderi.org









