Macaulay Culkin pritet të veshë sërish petkun e Kevin McCallister në një projekt të ri të sagës së famshme “Home Alone”.
Sipas revistës “People”, Disney ka nisur punën për një tjetër kapitull të filmit ikonik, ku këtë herë do të jetë i përfshirë edhe aktori që interpretoi personazhin kryesor në dy filmat e parë. Culkin do të punojë për skenarin së bashku me producentët Seth Rogen dhe Evan Goldberg, ndërsa historia do të zhvillohet mbi një koncept të propozuar prej tij.
Një ide e re për personazhin
Edhe pse projekti është ende në një fazë fillestare, ideja e hedhur nga aktori ka ngjallur interes. Sipas konceptit të tij, Kevin nuk do të jetë më fëmija që përballej me hajdutët, por një baba i rritur, i cili për shkak të punës nuk arrin t’i kushtojë kohën e duhur fëmijës së tij. Në një kthesë komike, djali vendos ta lërë jashtë shtëpisë dhe të krijojë kurthe për ta penguar të hyjë brenda, duke sjellë një version të përmbysur të historisë së njohur.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse kjo ide do të përfshihet në versionin përfundimtar të filmit. Po ashtu, nuk ka informacione për kastin e plotë, regjisorin apo datën e premierës.
Rrugëtimi i serisë
Macaulay Culkin u bë i njohur ndërkombëtarisht falë rolit të Kevin McCallister në “Home Alone” (1990) dhe “Home Alone 2: Lost in New York” (1992). Pas këtyre dy prodhimeve, seria vazhdoi me filma të tjerë, por pa pjesëmarrjen e tij.
Prej vitesh, fansat kanë shpresuar për rikthimin e aktorit në këtë rol, ndërsa vetë Culkin ka lënë të kuptohet më parë se do ta konsideronte një ofertë të tillë, nëse historia do të ishte mjaftueshëm interesante për të justifikuar rikthimin.
Burimi: bordo.al










