Erion Veliaj ka dërguar një mesazh të ri nga qelia në burgun e Fierit, ndërsa socialistët e Tiranës sot do të takohen me kryetarin e tyre dhe njëkohësisht kryeministrin, Edi Rama.
Mesazhi i Veliajt për Asamblenë e Tiranës
“Mesazh për Asamblenë e Tiranës
Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!
Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.
Po a jemi ende ajo parti?
Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?
Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.
Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!
Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.
Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.
Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.
Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj”, shkruan ai.
Lajm në përditësim…
Burimi: shqiptarja.com










