Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Erioni operohet me sukses, Elisa tregon cilat ishin rrugët e shërimit

Erioni operohet me sukses, Elisa tregon cilat ishin rrugët e shërimit
Foto: tirananews.al

Nga Ylli Manjani

Dy miqtë e kahershëm, Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali, ndonëse sot në llogore të ndryshme politike, duket se kanë gjetur më në fund një kauzë të përbashkët: Belinda Ballukun!

Madje, pikërisht tani që Belinda po përballet vetë me probleme serioze penale, Erioni dhe Elisa duket se e kanë zbuluar si burimin e të gjitha fatkeqësive të tyre.

Se çfarë pushteti të jashtëzakonshëm zotëron Belinda në ditët më të vështira të karrierës së saj zyrtare, këtë duhet ta dinë më mirë Erioni dhe Elisa.

Megjithatë, le ta ndjekim pak logjikën që na sugjeron Elisa dhe Erioni.

Elisa dhe shkarkimi nga ministria

Elisa duket se nuk e ka kapërdirë ende shkarkimin nga posti i ministres. Dhe fajin, me sa kuptohet nga qëndrimet e saj, ia faturon Belindës.

Ka një hollësi të vogël në këtë histori: Elisën ministre e bëri Edi Rama dhe po Edi Rama e shkarkoi. Belinda, me sa dimë, nuk firmos as emërimet, as shkarkimet e ministrave.

Natyrisht, gojët e liga flasin edhe për një muhabet klubi kinez në Berlin. Por këto mbeten muhabet kafenesh. E vetmja gjë e sigurt është se vendimin e mori Rama.

Tani, logjika do që, po të kishte Belinda aq pushtet mbi Ramën, sa pretendon Elisa se e ka, lind pyetja: përse e lejoi fare Elisën të bëhej ministre?!

Zakonisht të fortët i pengojnë kundërshtarët të ngjiten, nuk i presin të ngjiten që pastaj t’i zbresin brenda pak muajsh në detyrë.

Nuk duket si punë Belinde kjo. Ndoshta është, por Elisa vetëm shan, nuk na tregon se si Belinda e shkarkoi. Ajo ka zgjedhur një logjikë më komode, sipas së cilës Rama e shkarkoi, ndërsa Belinda e ka fajin!

Pra, mjafton të largohet Belinda dhe Elisa shërohet politikisht. Rama mbetet aty ku është, ndërsa përgjegjësia transferohet te dikush tjetër. Një lloj terapie politike pa prekur shkaktarin e vendimit.

Erioni dhe kaviljja e dëmtuar

Në këtë kauzë antibelindë shfaqet edhe Erioni. Ky i fundit, nga burgu, na sjell lajmin e një kaviljeje të dëmtuar duke luajtur futboll dhe të një ndërhyrjeje kirurgjikale të planifikuar për të hënën.

Një kavilje e thyer, një karrierë ministrore e ndërprerë dhe një Belindë që duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha!

Natyrisht, askush nuk e lidh mjekësisht kaviljen e Erionit me Belindën. Por politikisht, në këtë histori, duket se gjithçka lidhet me të.

Kështu kemi një aleancë të çuditshme qëndrimesh ku njëri kërkon të shërojë këmbën, tjetra plagën politike. Të dy, në mënyra të ndryshme, duket se presin largimin e Belindës si ilaç.

Çfarë mungon nga debati

Ndërkohë, asnjë tezë politike, ide qeverisëse apo alternativë për publikun nuk po duket gjëkundi. Sepse në këtë histori nuk diskutohet çfarë duhet të ndryshojë në qeverisje, por kush duhet të largohet që të qetësohen ata që kanë mbetur jashtë saj.

Me pak fjalë, nëse ikën Bela, Elisa qetësohet. Nëse operohet Erioni, shërohet kavilja. Dhe nëse ndodhin të dyja, ndoshta shpëton edhe demokracia e partisë dhe e Shqipërisë nga kjo dramë ortopediko-ministrore.

Ndaj, meqë Erioni do të operohet të hënën, i urojmë shërim të shpejtë.

Dhe, mbi të gjitha, të shkuara Elisës!

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha