Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Miratohet kompensimi i qirasë për punonjësit operativë të burgjeve

Miratohet kompensimi i qirasë për punonjësit operativë të burgjeve
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi kriteret dhe masën e përfitimit të kompensimit për qiranë e banesës për punonjësit operativë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, të cilët transferohen për shkak të detyrës jashtë vendbanimit të tyre të përhershëm.

Kushtet e përfitimit

Sipas vendimit, punonjësi që transferohet jashtë vendbanimit të përhershëm brenda vendit për nevoja pune përfiton kompensim për qiranë e banesës kur distanca nga vendbanimi i tij është mbi 36 kilometra.

Për sa i përket sipërfaqes së banimit, për punonjësit që nuk kanë persona të tjerë familjarë në ngarkim dhe që zhvendosen me ta, pagesa e qirasë mbulon një sipërfaqe deri në 30 metra katrorë neto. Për çdo pjesëtar shtesë të familjes, sipërfaqja e përllogaritur rritet me 10 metra katrorë.

Masa e kompensimit do të jetë sa vlera minimale e qirasë mujore, sipas përcaktimeve të vendimit nr. 469, datë 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, për përcaktimin e vlerës minimale të çmimeve të referencës së qirave të ndërtesave për qëllime tatimore.

Dokumentacioni dhe shqyrtimi

Për të përfituar këtë mbështetje financiare, punonjësi duhet të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse të burimeve njerëzore kërkesën me shkrim, kopjen e kartës së identitetit, kontratën e noterizuar të qirasë së banesës, si dhe vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës se ai dhe pjesëtarët e familjes nuk kanë banesë apo nuk kanë aplikuar për legalizim në territorin ku është emëruar ose transferuar.

Dokumentacioni shqyrtohet nga struktura përgjegjëse e burimeve njerëzore, e cila përgatit praktikën për miratim nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, në rastet kur plotësohen kriteret e përcaktuara dhe punonjësi nuk përfiton kompensim për shpenzimet e udhëtimit.

Periudha e përfitimit dhe zbatimi

Kompensimi për qiranë do të përfitohet për gjithë periudhën e transferimit ose deri në momentin kur punonjësi sistemohet në një banesë të përhershme në vendin e ri të punës.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

/k.s/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha