Festa pas premierës dhe veshja e zgjedhur
Jennifer Lopez ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë festës së organizuar pas premierës së filmit koncertor “The JLo Show: Live in Las Vegas”. Këngëtarja amerikane ka surprizuar me një tjetër zgjedhje stilistike, duke kaluar nga pamja elegante e tapetit të kuq në një veshje më provokuese për festën e mbrëmjes.
Për këtë rast, 57-vjeçarja zgjodhi një fustan të zi me dantella, të shoqëruar me një dekolte të theksuar, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e të pranishmëve.
Por përtej paraqitjes, ajo që ra në sy ishte atmosfera festive që Lopez ndau me balerinët e saj. Artistja u fotografua duke kërcyer dhe pozuar përkrah balerinit italian Giuseppe Giofre, me të cilin ka krijuar një bashkëpunim të ngushtë ndër vite, raporton “Daily Mail”.
Giofre është pjesë e trupës së kërcimit të këngëtares që prej vitit 2019, kur iu bashkua turneut “It’s My Party”. Që atëherë, ai ka qenë gjithashtu pjesë e performancave të saj gjatë rezidencës në Las Vegas.
Mendimet për martesat e mëparshme
Ndërkohë, jashtë atmosferës së premierës, Jennifer ka folur së fundmi edhe për një temë që shpesh është bërë pjesë e diskutimeve rreth jetës së saj private: martesat e përfunduara me divorc.
Gjatë një interviste në emisionin e Drew Barrymore, dy aktoret shkëmbyen batuta për përvojat e tyre sentimentale. Barrymore, e cila ka kaluar tri divorce, bëri shaka se historia e Lopez i jepte një lloj “lejeje” për të kaluar edhe një tjetër ndarje.
Këngëtarja tregoi edhe një episod humoristik nga një takim me fansat, ku kishte ngritur katër gishta për të simbolizuar martesat e saj. Përgjigjja e një personi nga publiku e kishte bërë të qeshte, pasi i kishte kujtuar se i kishin mbetur edhe gjashtë gishta të tjerë.
“Ja puna, nuk ka rregulla në këtë jetë, të gjithë bëjmë më të mirën që mundemi”, u shpreh Lopez.
Ajo theksoi se përpiqet vazhdimisht të përmirësojë veten dhe të japë versionin më të mirë të saj, si në marrëdhëniet personale, ashtu edhe në karrierën profesionale.
Burimi: bordo.al









