Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Policia arreston pesë persona në dy operacione dhe sekuestron drogë, armë e para

Policia arreston pesë persona në dy operacione dhe sekuestron drogë, armë e para
Foto: reporteri.al

Policia e Kosovës ka realizuar dy operacione të ndara policore, gjatë të cilave janë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me narkotikë.

Operacioni i parë në Prishtinë, Gjakovë dhe Mutivodë

Gjatë këtyre operacioneve, të zhvilluara në Prishtinë, Gjakovë, në Pikën e Kalimit Kufitar në Mutivodë dhe në Mitrovicë të Jugut, janë sekuestruar mbi 14 kilogramë marihuanë, kokainë, armë, municion, para të gatshme dhe dëshmi të tjera.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni i parë është realizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, përkatësisht njësitë në Prishtinë dhe Gjakovë, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë dhe Policinë Kufitare në Mutivodë.

Në këtë operacion janë arrestuar katër persona të dyshuar, ndërsa gjatë bastisjeve në lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar 14 kilogramë e 815 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë.

Përveç narkotikëve, policia ka sekuestruar edhe dy revole, 62 fishekë, 9 mijë e 120 euro, 350 franga zvicerane, dy vetura, katër telefona mobilë dhe një peshore digjitale.

Katër të dyshuarit me inicialet S.B., F.B., N.I. dhe Gj.Z., me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Operacioni i dytë në Mitrovicë të Jugut

Ndërkaq, operacioni i dytë është realizuar në Mitrovicë të Jugut nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar 51.2 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, një peshore, dy telefona mobilë dhe 1 mijë e 155 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e kundërligjshme e narkotikëve.

Në këtë rast është arrestuar një person me inicialet D.L., i lindur në vitin 1983. Edhe ndaj tij është iniciuar rast, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha