Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratave të tij për komunat, duke e akuzuar për përçmim dhe mungesë bashkëpunimi me pushtetin lokal.
Akuzat për etiketime ndaj komunave
Në reagimin e Bordit të Asociacionit thuhet se Kurti në vazhdimësi ka përdorur etiketime ndaj komunave. Ata përmendin deklaratat e tij të mëparshme për “politikë antishtetërore”, “komuna dembele” dhe paralajmërimet për mosndarjen e buxhetit për kryetarët që, sipas tij, nuk punojnë mirë ose vjedhin.
Asociacioni ka kundërshtuar gjithashtu deklaratat e Kurtit për centralizimin e arsimit. Ai i kujton kryeministrit se Granti i Katërt për investime kapitale, përmes të cilit ishte premtuar më shumë autonomi për komunat, ende nuk është realizuar.
Kërkesa për takim
Në reagim thuhet se kanë kaluar më shumë se dy vjet nga takimi i fundit i Kurtit me kryetarët e komunave, pavarësisht kërkesave të Asociacionit për një takim të ri.
“Për çdo vendim e për çdo euro publike, kryetarët kanë detyrë me dhanë llogari. Për çdo dyshim për keqpërdorim ka institucione që e trajtojnë. Buxheti u takon qytetarëve dhe duhet të ndahet sipas ligjit, nevojave dhe kritereve të barabarta”, thuhet në reagim.
Në fund, Asociacioni i bën thirrje Kurtit që të caktojë një takim me kryetarët e komunave, t’i dëgjojë kërkesat e tyre dhe t’i përmbushë zotimet për financimin dhe autonominë lokale.
“Kryeministër, boll ma me përçmime. Caktojeni takimin. Uluni me kryetarët, dëgjojini hallet e qytetarëve dhe mbajini zotimet për financimin dhe autonominë lokale”, thuhet në reagim.
Burimi: insajderi.org









