Seanca e Kuvendit me tri pika të rendit të ditës u shty për një kohë të pacaktuar. Ndër to ishte edhe shqyrtimi i Ligjit për Specialen.
Nënkryetari i Kuvendit, Aridan Gola, tha se vendimi për shtyrjen erdhi pas “diskutimeve të ngjeshura” mes shefave të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve politikë të këtyre grupeve.
Para orës 10, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, shkoi për takim me kryeministrin Albin Kurti.
Ajo tha se nuk ka dallime për përmbajtjen e Ligjit, por vetëm për çështjet procedurale.
Ndërkohë, para se të fillonte seanca, u panë diskutime mes saj dhe Kurtit.
Rendi i ditës
Përveç rishqyrtimit të Ligjit, që synon t’ia kufizojë mandatin Speciales, në rend dite ishin edhe dy votime të tjera. E para ishte votimi i Propozim Rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e një paciente me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe me mungesën e barnave onkologjike. E dyta ishte votimi i Propozim Rezolutës nga Mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Burimi: lajmifundit.al










