Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Erërat e forta bllokojnë pjesërisht aksin Tamarë–Vermosh

Erërat e forta bllokojnë pjesërisht aksin Tamarë–Vermosh
Foto: lajmifundit.al

Gjatë natës së kaluar, territori i Qarkut Shkodër u përfshi nga reshje shiu dhe erëra të forta. Sipas informacioneve, situata në nivel qarku paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, me probleme të kufizuara kryesisht në disa zona malore, në akset rrugore rurale dhe në furnizimin me energji elektrike. Nuk raportohen probleme të tjera të natyrës së emergjencave civile.

Situata në Bashkinë Shkodër

Në Bashkinë Shkodër, pavarësisht reshjeve të shiut dhe erërave të forta, nga strukturat e Mbrojtjes Civile nuk raportohen probleme.

Problemet në Bashkinë Malësi e Madhe

Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, në vendin e quajtur Dobri, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në digën e Selcës, rrjedhat e përroit kanë sjellë depozitimin e materialeve inerte, duke bllokuar rrugën. Gjithashtu, në zonën e Gropave të Selcës janë konstatuar rrëshqitje gurësh. Strukturat përgjegjëse ndodhen në terren për verifikimin e situatës dhe kryerjen e ndërhyrjeve të nevojshme.

Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, aksi rrugor Tamarë–Vermosh është bllokuar pjesërisht. Firma kontraktuese ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e plotë të qarkullimit.

Ndërprerjet në Bashkinë Vau i Dejës

Në Bashkinë Vau i Dejës janë evidentuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Njësitë Administrative Vig-Mnelë dhe Hajmel. Deri në momentin e raportimit, nga strukturat e Mbrojtjes Civile nuk raportohen probleme të tjera.

Situata në Bashkinë Pukë

Në Bashkinë Pukë, erërat e forta kanë shkaktuar thyerjen e disa pemëve në unazën e qytetit, të cilat janë larguar nga Drejtoria e Shërbimeve. Gjithashtu, janë evidentuar rënie gurësh në rrugët rurale dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike deri në mesnatë. Energjia elektrike është rikthyer pas riparimit. Deri në momentin e raportimit, nuk janë evidentuar probleme të tjera.

Rrugët dhe energjia në Bashkinë Fushë-Arrëz

Në Bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet e shiut kanë shkaktuar rënie gurësh dhe dherash në akset rrugore të Njësive Administrative Fierzë, Blerim, Iballë dhe Qafë-Mali. Deri në momentin e raportimit, nuk raportohen probleme të tjera nga strukturat e Mbrojtjes Civile.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, janë evidentuar ndërprerje në zonën e Vrakës, në Bashkinë Malësi e Madhe, në Zagorë dhe në një pjesë të zonës Tamarë–Vermosh. Gjithashtu, janë regjistruar ndërprerje të herëpashershme në disa njësi administrative të Bashkisë Fushë-Arrëz. Ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha