Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

MINTI nis fushatën Dhuro Made in Kosova për produktet vendore

MINTI nis fushatën Dhuro Made in Kosova për produktet vendore
Foto: albeu.com

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka çelur fushatën “Dhuro Made in Kosova”, e cila synon promovimin e produkteve vendore dhe rritjen e shitjeve të tyre përmes platformave të tregtisë elektronike.

Festat dhe diaspora si target

Ministrja e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo nismë vjen në prag të festave të nëntorit dhe të fundvitit, periudhë gjatë së cilës qytetarët dhe diaspora blejnë dhurata.

Ajo bëri me dije se fushatës i janë bashkuar tri platforma të tregtisë elektronike — Gjirafa, Foleja dhe Shopaz — përmes të cilave prodhimet vendase do të promovohen dhe do të bëhen më të qasshme për konsumatorët.

Kusari-Lila u bëri thirrje edhe platformave të tjera vendore që t’i bashkohen fushatës, e cila do të vazhdojë deri në fillim të vitit 2027. Gjithashtu, ajo i ftoi bizneset dhe prodhuesit vendorë të bëhen pjesë e nismës duke aplikuar përmes adresës elektronike të ministrisë.

“Kur blejmë dhe dhurojmë një produkt Made in Kosova, nuk po i dhurojmë vetëm një dhuratë të thjeshtë. Ne po dhurojmë një vend të ri pune për një të ri apo të re, po mbështesim një familje dhe po ndërtojmë një ekonomi më të fortë e më të qëndrueshme për të gjithë”, tha Kusari-Lila.

Sipas saj, synimi i fushatës është që produktet vendore të jenë më afër konsumatorëve, përfshirë diasporën, përmes platformave të tregtisë elektronike.

“Përmes këtyre platformave, produktet vendore jo vetëm që do të listohen dhe promovohen në mënyrë të veçantë, por do të jenë vetëm një klikim larg çdo shtëpie në Kosovë, por edhe çdo qytetari të Republikës që jeton kudo jashtë vendit”, tha Kusari-Lila.

Platformat e tregtisë elektronike

Mërgim Cahani nga Gjirafa e cilësoi iniciativën si një mundësi të mirë për prodhuesit vendorë që t’i promovojnë dhe shesin produktet e tyre, duke theksuar se kjo mbështetje duhet të vijojë edhe pas përfundimit të festave.

“Iniciativa është shumë e mirë, në kuptimin që i lejon të gjitha kompanitë vendore dhe prodhuesit vendorë me i shfaqur produktet e tyre, sidomos për festat e fundvitit. Po kjo nuk do të thotë që të qëndrojnë këto produkte vetëm për këtë periudhë. Unë besoj që këto kompani mund të vazhdojnë t’i shesin dhe t’i promovojnë produktet e tyre përgjatë tërë kohës që vazhdojnë”, tha Cahani.

Ai shtoi se Gjirafa është e gatshme t’u ndihmojë bizneseve që dëshirojnë të hapin dyqane në platformën e saj.

Ndërkaq, Qëndresa Peja nga Foleja tha se përmes kësaj fushate kanë krijuar një hapësirë të veçantë për produktet vendore, duke u ofruar prodhuesve edhe mbështetje teknike e operacionale.

“Ne e kemi krijuar një hapësirë të dedikuar për produktet vendore dhe kemi me u munduar që me qenë ato sa më të qasshme për klientët. Përveç promovimit që do ta kemi me ‘Dhuro Made in Kosova’, ne do të mundohemi t’i mbështesim jo vetëm përmes plasimit të produkteve, po do të mundohemi t’i mbështesim edhe në anën operacionale, anën teknike, ku ata kanë me pasur vështirësi në regjistrim ose çkado për me mundur me u adaptuar me mjedisin e tregut elektronik e të shitjeve online”, tha Peja.

Ajo theksoi se synojnë që produktet vendore t’i plasojnë edhe jashtë Kosovës.

“Ne do të jemi bashkë me ta, ne do të punojmë së bashku rrugës dhe do të mundohemi që, përveç që do të shesim së bashku në Kosovë, kemi me i plasuar dhe produktet edhe nëpër shtete të tjera, në Shqipëri, Maqedoni e po ashtu synojmë bashkë edhe tregje ndërkombëtare”, tha ajo.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha