Në mungesë edhe në Asamblenë e PS-së së Tiranës, Erjon Veliaj zgjodhi të shpërndarë një mesazh nga paraburgimi i Fierit, këtë radhë, drejtuar socialistëve, pak para se të mblidheshin nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
I shkarkuar nga PS-ja e Tiranës në asamblenë kombëtare të shtunën, kryebashkiaku thotë se partia është mbushur me ministra e drejtorë pa meritë.
Mesazhi drejtuar socialistëve
“Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje. Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh! Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar”, shprehet Veliaj.
Kritika ndaj Edi Ramës
Kritikat nuk ia kursen as kryetarit të partisë, Edi Rama, të cilin e akuzon se me një klithmë fshin vite sakrificash të socialistëve që e ngritën në krye të PS-së.
“Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve”, thekson Veliaj.
Ai sjell ndërmend historinë e PS Tiranë dhe organizimin e saj nën drejtimin e tij. Veliaj shprehet se kanë luftuar për fitoret dhe s’ua kanë dhënë “as krimi, as bandat”, ndërsa ngre pyetjen nëse bëhet fjalë për të njëjtën parti.
I pari i Tiranës u kërkon socialistëve të reflektojnë dhe të shohin kë kanë përkrah tyre duke u bërë thirrje të mos pranojnë pushtetin e pamerituar. Mesazhin, Veliaj e nënshkruan me “socialisti juaj me duar të lidhura”.
Teksti i plotë i mesazhit
“Mesazh për Asamblenë e Tiranës
Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!
Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.
Po a jemi ende ajo parti?
Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?
Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.
Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!
Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.
Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.
Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.
Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj”, shkruan ai.
Burimi: gazetadita.al










