Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar riorganizim të Partisë Socialiste në Tiranë, me synimin për të rritur praninë e strukturave në terren dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në zonat ku, sipas tij, mbështetja për partinë është dobësuar.
Një mënyrë e re funksionimi
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së në Tiranë, Rama theksoi se organizimi i ri nuk duhet parë thjesht si ndarje detyrash mes drejtuesve dhe deputetëve, regjistrim anëtarësh apo ngritje e një makinerie elektorale, por si një mënyrë e re funksionimi të partisë.
Ai kërkoi që socialistët të jenë më të pranishëm në jetën e përditshme të qytetarëve, në lagje, në pallate dhe pranë grupeve të ndryshme të interesit, duke mos u kufizuar vetëm në zonat ku partia ka mbështetje.
Të jesh i pranishëm edhe aty ku ka kritikë
“Organizimi që nisim sot garanton Tiranën dhe Shqipërinë në atë që vjen në 10 vitet e ardhshme. Sot nuk ndajmë vetëm detyrat apo marrjen e detyrave nga drejtues e deputetë, as thjesht për një regjistrim të ri anëtarësh dhe mbështetësish, as për të vënë në punë një makineri elektorale që di të marrë shumë vota… Ne nuk jemi këtu thjesht për të mbrojtur atë që kemi fituar, por jemi për një mënyrë të re për të merituar atë që kërkojmë të fitojmë sërish. Kemi nevojë për një PS më të organizuar dhe Tirana ka nevojë për një PS më të pranishme në rrugë, në bashkësinë e pallateve, jetën e përditshme të njerëzve, pranë të gjitha moshave dhe grupeve të interesit. Më të pranishme jo vetëm aty ku kemi mbështetje, por sidomos aty ku ne kemi humbur besim. Jo pranë atyre që na mirëpresin dhe duartrokasin, por edhe pranë atyre që na kritikojnë apo shajnë. Një parti e shtrirë në të gjitha ditët e javës me frymën e orës së pranisë besnike. Besnike jo ndaj interesave të individëve që mbajnë një post”, tha ai.
Ringritja pas krizave
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se pavarësisht krizave dhe vështirësive, socialistët kanë ditur të ringrihen.
“Ne kemi dalë më të fortë nga tërmeti që na shembi një pafundësi shtëpish, nga pandemia që na ndali bashkë me gjithë botën, nga krizat e shkaktuara prej duarve të mbrapshta, por edhe nga ato që kemi shkaktuar vetë me gabimet tona”, tha Rama, ndërsa shtoi se PS ia doli, sipas tij, edhe kur të tjerët menduan se ishte fundi i saj.
“Kemi dalë më të fortë, jo se ishim të pagabueshëm, por sepse nuk u dorëzuam asnjëherë, edhe përballë situatave kur mbase të gjithë menduan se ky ishte fundi ynë. Kemi bërë gabime, pa diskutim. Kemi pasur dobësi, pa diskutim. Kemi bërë edhe faje, për të cilat edhe jemi ndëshkuar, pa diskutim. Por ne kemi pasur gjithnjë diçka që na ka dalluar nga të gjithë të tjerët dhe që ne nuk duhet ta humbim kurrë, aftësinë për të nxjerrë mësim, për t’u ngritur dhe për të vazhduar përpara”.
Burimi: gazetashqiptare.al










