Në Kalanë e Gjirokastrës u përmbyll Kampi i Restaurimit 2026 – Regional Living Lab, me një ekspozitë ku u prezantuan projektet e realizuara nga studentët pjesëmarrës, në kuadër të projektit evropian BAUHAUS4EU 2026–2027.
Nisma u organizua nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, në bashkëpunim me Universitetin POLIS dhe me mbështetjen e Bashkisë së Gjirokastrës. Ajo synon t’i afrojë ekspertizën profesionale studentëve dhe të krijojë mundësi për projekte konkrete në mbrojtje të monumenteve të rrezikuara.
Dokumentimi dhe studimi i monumenteve
Gjatë kampit, nën udhëheqjen e specialistëve, studentët dokumentuan dhe studiuan tetë banesa monumente kulture, Kishën e Shën Kollit në Saraqinisht dhe Banesën Zahari Sterio në Derviçan. Në këtë proces u ndërthurën teknologjitë e dokumentimit 3D me teknikat dhe mjeshtërinë tradicionale të restaurimit.
Programi për vitin 2027
Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një publikimi në rrjetet sociale. Ai theksoi se kjo nismë do të shërbejë si bazë për programin që pritet të vazhdojë gjatë vitit 2027, me fokus shpëtimin, restaurimin dhe rijetëzimin e banesave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.
Sipas Gonxhjas, programin do ta mbështesë edhe rritja me 80 për qind e buxhetit për trashëgiminë kulturore, me synimin për të shtuar investimet në ruajtjen e monumenteve dhe për t’i trashëguar ato brezave të ardhshëm./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










