Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Kryeministri maqedonas paralajmëron dimër të vështirë për energjinë elektrike

Kryeministri maqedonas paralajmëron dimër të vështirë për energjinë elektrike
Foto: gazetaexpress.com

Paralajmërimet për një dimër të vështirë energjetik po shtohen. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se bota po përballet me krizën më të madhe energjetike në histori, ndërsa shpreh shqetësimin se zhvillimet globale mund ta çojnë njerëzimin drejt një lufte të tretë botërore. Sipas tij, ndikimi më i madh pritet në Evropë, veçanërisht te energjia elektrike dhe karburantet. Si tregues të kësaj situate, Mickoski përmend edhe çmimin e gazit në bursat ndërkombëtare.

Deklaratat e Mickoskit për krizën globale

“Ne po përballemi me krizën më të madhe energjetike që njerëzimi mban mmend. Në të njëjtën kohë, kam përshtypjen se bota po drejtohet, në heshtje, drejt një lufte të tretë botërore. Pritet një dimër jashtëzakonisht i vështirë, sidomos për Evropën, kur bëhet fjalë për energjinë. Po flas fillimisht për energjinë elektrike, pastaj për naftën dizel dhe benzinën pa plumb. Po flas për çmime të larta, sepse nëse sot shikoni bursat, do të vini re se gazi është tri herë më i shtrenjtë sesa ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Akuzat e Filipçes për shtrenjtimet

Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzon pushtetin se, pavarësisht premtimeve të mëparshme që çmimet e energjisë elektrike nuk do të rriteshin, tashmë po paralajmërohen shtrenjtimet e para. Filipçe pretendon se çmimi i energjisë elektrike mund të rritet me 2 deri në 3 për qind, ndërsa ngrohja qendrore me 6 deri në 8 për qind shtesë. Sipas tij, kjo do të ndikojë edhe në rritjen e kostos së produkteve dhe shërbimeve.

“Megjithëse ai vetë, që në shtator, premtoi dhe lejoi të kuptohet se çmimet e energjisë elektrike nuk do të rriteshin, kryetari i Komisionit Rregullator, Aco Ristov, anëtar i grupit kriminal të VMRO-së, bashkëshortja e të cilit shërben në Këshillin Gjyqësor, fakt ky i përmendur edhe në raportin më të fundit evropian lidhur me politizimin e gjyqësorit, ndër të tjera ka njoftuar një rritje të çmimeve të energjisë elektrike prej 2% deri në 3%, si dhe një rritje shtesë prej 6% deri në 8% për ngrohjen qendrore, e cila ishte rritur tashmë me 5%. Kjo rritje shtesë prej 2 deri në 3% e çmimeve të energjisë elektrike do të çojë në një shtrenjtim të mëtejshëm të kostos së pothuajse të gjitha produkteve në vend”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Prodhimi vendor dhe nevoja për import

Të dhënat e vitit 2026 tregojnë se prodhimi vendor nuk e mbulon gjithmonë konsumin e energjisë elektrike. Në janar, prodhimi vendas mbuloi vetëm 77,1 për qind të konsumit, ndërsa në gusht kjo pjesëmarrje arriti në 97,2 për qind. Kjo tregon se nevoja për import mbetet e pranishme dhe se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare mund të kenë ndikim edhe në furnizimin dhe çmimet në vend. /Alsat.mk.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha