Bukuria, ambicia, inteligjenca dhe empatia për të ndihmuar të tjerët mund të bashkëjetojnë fare mirë tek një vajzë, dhe Alba Tirtja është shembull i kësaj. Bukuroshja që mban kurorën e Miss World Albania sapo ka përfaqësuar Shqipërinë në skenën ndërkombëtare të Miss World, në Vietnam, duke shfaqur jo vetëm hiret e një vajze shqiptare, por edhe krenarinë për rrënjët e saj. Ndonëse për momentin Alba njihet si Miss dhe studente e mjekësisë, ajo e ka të qartë rrugëtimin e saj profesional: e ardhmja do ta gjejë të veshur me bluzën e bardhë, në misionin e bukur të të qenit pranë pacientëve.

Titulli si privilegj dhe përgjegjësi
Alba, çfarë do të thotë për ty të mbash titullin Miss World Albania? E ndien më shumë si privilegj apo si përgjegjësi?
Për mua është një privilegj që vjen me shumë përgjegjësi. Jam shumë e lidhur me rrënjët e mia dhe dashurinë për Shqipërinë e kam marrë nga familja. Një frymëzim i veçantë për mua është xhaxhai im, Mark Tirtja, i cili, përmes punës së tij në etnologji, më ka bërë ta vlerësoj edhe më shumë trashëgiminë tonë. Prandaj, ta përfaqësoj vendin tim është një emocion i veçantë. Dua ta mbaj këtë titull me dinjitet dhe t’u jap zë gjërave në të cilat besoj.
Mjekësia dhe skena, dy botë të përbashkëta
Ti je studente e mjekësisë në Austri dhe njëkohësisht Miss World Albania. Si arrin t’i bashkosh këto dy botë që, në pamje të parë, duken kaq të ndryshme?
Edhe pse duken të ndryshme, të dyja kanë vlera të përbashkëta: kujdesin për njerëzit, ndihmën ndaj komunitetit dhe disiplinën. Një Miss ka edhe një mision përtej bukurisë. Unë e shpreh këtë përmes projektit “Health Heroes”, duke ndërthurur njohuritë që marr në mjekësi me mundësinë që më jep ky titull për të ndihmuar njerëzit.
Çfarë është “Health Heroes” dhe çfarë synon të arrish përmes këtij projekti?
“Health Heroes” është projekti që kam krijuar në kuadër të nismës “Beauty with a Purpose” të Miss World, duke ndërthurur edukimin me shëndetin. Përmes tij dua t’u jap fëmijëve njohuritë që u nevojiten për t’u kujdesur për veten dhe për t’u bërë heronjtë e shëndetit të tyre. Qëllimi afatgjatë është që ata të krijojnë zakone të shëndetshme që në moshë të vogël, për të ulur rrezikun e problemeve shëndetësore si obeziteti dhe diabeti i tipit 2.
Mjekësia është një rrugë shumë e gjatë dhe kërkuese. A e imagjinon veten pas disa vitesh me një bluzë të bardhë, apo moda dhe spektaklet kanë filluar të të tërheqin më shumë?
Më pëlqen ta sfidoj veten në fusha të ndryshme, por mjekësia mbetet përkushtimi im afatgjatë. Ëndrra ime është të bëhem mjeke dhe t’u shërbej njerëzve. Moda dhe skena më japin mundësinë të shpreh një anë tjetër të vetes, ndërsa të ardhmen time profesionale e shoh me bluzën e bardhë.
Jeta jashtë vendit dhe lidhja me Shqipërinë
Çfarë të ka mësuar jeta mes Austrisë dhe Italisë dhe çfarë të ka bërë ta vlerësosh më shumë Shqipërinë?
Jeta jashtë më ka mësuar të jem më e pavarur, ta organizoj më mirë kohën dhe të marr përgjegjësi për zgjedhjet e mia. Largësia më ka bërë të vlerësoj më shumë gjuhën shqipe, ngrohtësinë e njerëzve të mi dhe lidhjen me vendin tim. Kudo që shkoj, rrënjët shqiptare mbeten pjesë e pandashme e asaj që jam.
Vietnami dhe rrugëtimi në kompeticion
Ke përfaqësuar Shqipërinë në Miss World, në Vietnam. Cilin kujtim do të marrësh me vete përgjithmonë nga ajo përvojë?
Përveç mundësisë për të njohur kultura nga e gjithë bota, do ta mbaj mend përgjithmonë çastin kur mora shiritin me emrin “Albania”. Atëherë e ndjeva plotësisht peshën dhe bukurinë e përfaqësimit. Po aq e veçantë ishte veshja tradicionale me motive nga trevat shqiptare, të cilën e plotësova me vathët e stërgjyshes sime dhe kryqin shekullor mirditor. Ndihesha sikur kisha marrë me vete Shqipërinë, familjen dhe rrënjët e mia.
Në Miss World u kualifikove në sfidën sportive, mes vajzave nga e gjithë bota. Si e përjetove këtë arritje dhe a të mbeti ndonjë peng nga rrugëtimi yt në këtë kompeticion?
Kualifikimi në sfidën sportive më bëri shumë krenare, sepse pata mundësinë të tregoja përkushtimin dhe shpirtin tim konkurrues. Si natyrë ambicioze, sigurisht që dëshiroja të shkoja sa më larg. Megjithatë, kur e shoh të gjithë rrugëtimin, nuk kam asnjë peng. E di që kam dhënë maksimumin dhe gjithçka e kam bërë me shumë dashuri për vendin tim.
Vetëdija, ndjeshmëria dhe angazhimi
Cila është gjëja për të cilën je më krenare te vetja dhe që nuk ka fare lidhje me bukurinë?
Përveç këmbënguljes që më karakterizon, jam krenare për ndjeshmërinë dhe dashurinë që kam për njerëzit, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët, si edhe për natyrën dhe kafshët. Edhe pse ndjeshmëria ndonjëherë shihet si dobësi, për mua është një pikë e fortë. Ajo më ndihmon të jem vetvetja dhe ta bëj gjithçka me zemër e me qëllime të pastra.
Ke zgjedhur të angazhohesh edhe në punë vullnetare për integrimin dhe edukimin e të rinjve shqiptarë. Pse është kaq i rëndësishëm ky mision për ty?
Ky angazhim ka një kuptim shumë personal për mua, sepse e di si është të mos e njohësh gjuhën, të ndihesh e keqkuptuar dhe të dyshosh te vetja. Sot ndihem e privilegjuar që mund t’u gjendem pranë fëmijëve dhe të rinjve që po përjetojnë të njëjtat vështirësi. Përmes angazhimit tim dua të kontribuoj që ata të gjejnë mbështetje, orientim dhe hapësirë për të ecur përpara.
Mesazhi për të rinjtë dhe reflektimet pas kurorëzimit
Nëse do të mund t’i flisje sot një vajze 15-vjeçare, e cila mendon se nuk është mjaftueshëm e bukur, e zgjuar apo e zonja, çfarë do t’i thoje?
Do t’i thoja: Mos e krahaso veten me të tjerët dhe mos e nënvlerëso potencialin tënd. Vetëbesimi ndërtohet hap pas hapi, duke provuar, duke mësuar dhe duke vënë re përparimin tënd. Nuk ke nevojë të jesh e përsosur për të filluar. Jepi vetes mundësinë të zbulosh se çfarë mund të arrish.
Sa ka ndryshuar Alba pas kurorëzimit? A të ka bërë ky titull më të sigurt në vetvete apo të ka shtuar përgjegjësitë dhe presionin?
Ky titull më ka sjellë përgjegjësi dhe përvoja nga të cilat kam mësuar shumë. Jam bërë më e fortë dhe më e sigurt për t’u përballur me situata të reja. Gjithashtu, kam mësuar ta vlerësoj edhe më shumë rëndësinë e të qëndruarit besnike ndaj vetes dhe të pasurit njerëz të mirë pranë.
Cili është një paragjykim për vajzat e bukura që do të doje ta rrëzoje njëherë e mirë?
Ideja se çdo arritje e tyre i atribuohet pamjes së jashtme. Bukuria mund të të hapë dyer në fusha të caktuara (në mjekësi, ama, duhen hapur librat!). Por, për ta kthyer një mundësi në një arritje të qëndrueshme, duhen aftësi, punë dhe përkushtim. Do të doja që njerëzit të shihnin përtej përshtypjes së parë dhe të vlerësonin punën që qëndron pas çdo arritjeje. Një vajzë mund të jetë e bukur dhe, njëkohësisht, të ketë ambicie akademike e profesionale. Këto mund të bashkëjetojnë fare natyrshëm.
Vizioni për të ardhmen
Nëse pas 10 vitesh do të të duhej të zgjidhje vetëm një titull për veten: doktoreshë, modele, Miss World Albania apo një grua që ka ndërtuar një mision të sajin, cili do të ishte?
Do të zgjidhja të isha një grua që ka ndërtuar një mision të sajin, ku të kishte vend edhe mjekësia, edhe përvojat që po fitoj sot. Pas dhjetë vitesh dua të shoh se kam punuar për atë që besoj dhe se kam dhënë një kontribut të dobishëm për të tjerët. Ky do të ishte, për mua, kuptimi më i bukur i suksesit.
Burimi: bordo.al










