Raportimet në Itali konfirmojnë se Milani po e përcjell me shumë interes situatën e kontratës së Bruno Fernandesit te Manchester Unitedi, por kuqezinjtë kanë tri prioritete më të mëdha para hapjes së afatit kalimtar të janarit.
Kontrata e Fernandesit te Manchester Unitedi
Bruno Fernandes ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij në “Old Trafford”, megjithëse ekziston mundësia e vazhdimit të saj edhe për 12 muaj të tjerë.
Diskutimet për një kontratë të re me kapitenin e Unitedit nuk patën shumë përparim gjatë periudhës së Michael Carrickut dhe mbetet të shihet nëse emërimi i Mauricio Pochettinos do ta ndryshojë këtë situatë.
Raportimet e publikuara në fillim të kësaj jave sugjeruan se Milani është në mesin e klubeve të interesuara për t’i ofruar një marrëveshje Bruno Fernandesit, në rast se ai vendos të largohet nga Manchester Unitedi në të ardhmen e afërt.
32-vjeçari e njeh mirë futbollin italian, pasi në fillim të karrierës së tij kishte luajtur për Novaran, Udinesen dhe Sampdorian. Sipas “Corriere dello Sport”, ai vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me ish-trajnerin e tij te Manchester Unitedi, Ruben Amorim. Fernandes dhe Amorim përfaqësohen gjithashtu nga e njëjta agjenci menaxheriale.
Raportimi i së shtunës nga “Corriere dello Sport” sugjeron se Milani do të ishte në një pozitë të mirë për t’i ofruar një marrëveshje joshëse Bruno Fernandesit në fund të sezonit, e jo në janar, me kusht që klubi të kualifikohet në Ligën e Kampionëve për edicionin 2027/28.
Prioritetet e Milanit para janarit
Për momentin, prioriteti i radhës i Milanit është të arrijë marrëveshje për vazhdimin e kontratës së mesfushorit Adrien Rabiot.
Sa i përket afatit kalimtar të janarit, Milani pritet të jetë sërish aktiv, por transferimi i Bruno Fernandesit nuk është aktualisht në planet e klubit. Në vend të tij, drejtuesit e Milanit synojnë të transferojnë një qendërmbrojtës të ri, ndërsa Goncalo Inacio është njëri prej emrave që lidhet me një kalim në “San Siro”. Sikurse Fernandes dhe Amorim, edhe ai përfaqësohet nga agjencia “AS1”.
Më pas, sipas “Corriere dello Sport”, Milani do të kërkojë edhe një anësor të ri, idealisht një futbollist që mund të luajë në të dy krahët, pas lëndimeve afatgjata të Alexis Saelemaekers dhe Samuel Chukwuezes.
Kuqezinjtë pritet të jenë në kërkim edhe të një sulmuesi të ri. Endrick, Nicolo Tresoldi, Ermedin Demirovic dhe Paul Mendy janë disa prej emrave të fundit që janë lidhur me një transferim te Milani gjatë afatit kalimtar të janarit./GazetaExpress/
Burimi: www.gazetaexpress.com










