Bashkia e Tiranës ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste në Tiranë.
Reagimi i plotë
Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioze: masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.
Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit, dhe do t’i shërbejë deri në fund zgjedhësve të saj, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.
Burimi: euronews.al









