Akademia e Shkencave kujtoi sot ditën e ndarjes nga jeta të Marije Krajës, një nga zërat më të shquar të muzikës operistike shqiptare dhe një nga figurat themeluese të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Jeta dhe formimi
Marie Kraja lindi më 24 shtator 1911 në Zarë, në Dalmaci, Kroaci. Që e vogël, bashkë me familjen, u vendos në Shkodër. Më vonë kreu studimet e larta për kanto në Konservatorin e Graz-it, në Austri, deri në vitin 1934. Pas përfundimit të studimeve u kthye në Shqipëri, ku nisi një veprimtari të ngjeshur koncertore dhe pedagogjike, duke ia kushtuar jetën artit muzikor shqiptar.
Në Konservatorin e Graz-it mbrojti doktoraturën me këngët lirike “Marshalla bukurisë tënde” dhe “Midis ballit më ke një pikë”, një kontribut që i dha muzikës shqiptare një karakter ndërkombëtar.
Karriera artistike
Me interpretimet e saj promovoi muzikën shqiptare jo vetëm brenda vendit, por edhe në skena ndërkombëtare në Vjenë, Bari, Mynih, Firence dhe qytete të tjera evropiane.
E njohur si një zë i bukur lirik, plot temperament, me timbër të kulluar e kristalor, Marie Kraja interpretoi në premierën e parë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe u bë pjesë e plejadës së artistëve që hodhën themelet e artit operistik shqiptar.
Ndër rolet kryesore që interpretoi me profesionalizëm të lartë përfshihen veprat shqiptare “Mrika” dhe “Lulja e Kujtimit”, si edhe një sërë veprash të huaja: “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda” dhe “Dasma e Figaros”.
Repertori i saj përfshinte, krahas roleve operistike, arie, romanca, pjesë koncertore dhe mbi 300 këngë popullore nga treva të ndryshme shqiptare. Me dashuri dhe përkushtim të veçantë, ajo ruajti, interpretoi dhe promovoi traditën e pasur të këngës qytetare shqiptare.
Veprimtaria pedagogjike
Kontributi i saj u shtri edhe në pedagogji, ku përvoja dhe dijet e saj u përcollën te breza të tërë këngëtarësh të rinj. Në vitin 1936 ishte pedagoge në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”. Në 1946 punoi në Radio-Tirana dhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1962 u bë pedagoge në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku vazhdoi deri në daljen në pension në vitin 1966.
Çmimet dhe nderimet
Për veprimtarinë e jashtëzakonshme artistike, Marie Kraja u nderua me titullin “Artiste e Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.
Marije Kraja u nda nga jeta më 21 nëntor 1999 në Tiranë.
Burimi: ATSH / KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










