Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Jena Malone: nga filmat e pavarur te produksionet e mëdha

Jena Malone: nga filmat e pavarur te produksionet e mëdha
Foto: kultplus.com

Aktorja dhe muzikantja amerikane Jena Malone feston sot, më 21 nëntor, ditëlindjen e saj të 42-të, në një periudhë kur emri i saj vazhdon të lidhet me produksione të njohura të kinemasë amerikane. Nga filmat e pavarur që fituan statusin e veprave kult, te sagat hollivudiane dhe projektet artistike jashtë ekranit, Malone ka krijuar një filmografi që përfshin zhanre dhe personazhe të ndryshme.

Fillimet në kinema

Vëmendjen e parë në industrinë e filmit e mori me interpretimin në filmin televiziv Bastard Out of Carolina (1996), që i solli nominime për çmime. Në vitet pasuese, ajo u shfaq në Hope dhe Contact (1997), si dhe në filmin Stepmom (1998), duke u bërë pjesë e produksioneve që shënuan fillimet e karrierës së saj.

Me kalimin në vitet 2000, Malone u bë pjesë e filmit Donnie Darko (2001), i cili më vonë fitoi statusin e filmit kult dhe mbetet një nga titujt më të njohur në filmografinë e saj. Po atë vit, ajo luajti edhe në Life as a House, ndërsa në Saved! (2004) dhe Pride & Prejudice (2005) interpretoi personazhe që e zgjeruan praninë e saj në kinemanë bashkëkohore. Në adaptimin e romanit të Jane Austen, Malone mori rolin e Lydia Bennet.

Suksesi në sagat e mëdha

Publiku i gjerë e njohu edhe përmes sagës The Hunger Games, ku ajo interpretoi Johanna Mason në Catching Fire (2013). Personazhin e riktheu në dy filmat vijues, Mockingjay – Part 1 (2014) dhe Mockingjay – Part 2 (2015), duke u bërë pjesë e një prej serive më të ndjekura të kinemasë së dekadës.

Filmografia e saj përfshin edhe Into the Wild (2007), Sucker Punch (2011), The Neon Demon dhe Nocturnal Animals (2016), si dhe Antebellum (2020) e Love Lies Bleeding (2024). Krahas roleve në ekran, Malone ka provuar edhe skenën e Broadway-it, ku debutoi në vitin 2006 me shfaqjen Doubt.

Muzika dhe fotografia

Aktorja ka zhvilluar paralelisht edhe veprimtarinë e saj muzikore dhe fotografike. Në vitin 2008 formoi projektin muzikor The Shoe, ndërsa gjashtë vjet më vonë prezantoi ekspozitën fotografike The Holy Other, me 39 fotografi të realizuara gjatë udhëtimit të saj në Myanmar. Të ardhurat nga ekspozita iu dedikuan mbështetjes së arsimimit të vajzave në këtë vend.

Në vitin 2026, Malone është pjesë e serialit të Netflix-it The Boroughs, ku interpreton Claire, vajzën e personazhit Sam. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në librin audio Speak Now të autorit Ash Perez.

Në ditëlindjen e saj të 42-të, Jena Malone mbetet e pranishme në kinemanë amerikane përmes roleve që kanë përfshirë filma të pavarur, produksione të mëdha dhe projekte artistike në fusha të tjera./KultPlus.com

Jena Malone: nga filmat e pavarur te produksionet e mëdha

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha