Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të qëndrojë në Manastir më 22 nëntor, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ndërsa gjatë vizitës parashikohet të zhvillojë takime me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Vizita dhe programi
Vizita dhe takimet do të nisin që nga kufiri i Qafë Thanës, ku do të promovohet sistemi “hyrje-hyrje” në kuadrin shqiptaro-maqedonas. Më pas, bashkë me zyrtarët e VLEN-it, Rama do të nisë për Manastir me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ngjarjes historike të vitit 1908 që vendosi themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.
Dimensioni politik
Përveç karakterit përkujtimor, vizita pritet të ketë edhe një dimension politik, për shkak të takimeve të paralajmëruara me përfaqësuesit e partive shqiptare. Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në këtë datë mbart simbolikë të veçantë për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për lidhjet kulturore mes shqiptarëve në rajon.
Ndërkohë, kryeministri Rama do ta takojë edhe kryeministrin e Maqedonisë, Hristijan Mickoski, si dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmetin. Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht, takimet e veçanta me Mickoskin dhe Ahmetin do të zhvillohen në qytetin e Ohrit. (koha.mk)
Burimi: www.gazetaexpress.com










