Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

PS e Tiranës me organizim të ri në 27 njësi

PS e Tiranës me organizim të ri në 27 njësi
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Asambleja e Partisë Socialiste për Tiranën vendosi sot pikat e organizimit të ri, i cili i paraprin përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, drejtuesja politike e PS-së për Bashkinë Tiranë, Ogerta Manastirliu, prezantoi strukturën e re organizative të PS-së në kryeqytet, e cila do të përbëhet nga pesë nivele.

Struktura e re organizative

Sipas Manastirliut, organizimi i ri synon të forcojë praninë e socialistëve në terren dhe të koordinojë punën e strukturave në funksion të zgjedhjeve lokale në kryeqytet.

“Me organizimin e ri, PS-ja do të ketë 5 nivele përgjegjësie: 19 deputetë dhe ministra; 27 njësi të Tiranës dhe 3 grupe fshatrash; 34 blloqe për Praninë Besnike; 30 koordinatorë dhe 420 të deleguar. Kjo është skuadra jonë. Nga sot ne nisim këtë fushatë me 3 drejtime: deri në dhjetor konsolidojmë strukturat, deri në mars punë në terren dhe më pas fushata zgjedhore e fitores historike”, tha Manastirliu.

Prania në terren

Bashkëkryesuesja e PS-së Tiranë, Albana Koçiu, u shpreh se duhet të ndryshohet mënyra e organizimit të Partisë Socialiste në territor.

“Do ta bëjmë këtë bashkë duke qenë prezent derë më derë, duke përfshirë çdo komunitet, çdo shtresë, sepse PS është një derë e hapur për të gjithë. Për këtë qëllim ne me organizatat socialiste do bëjmë të mundur që të mos lëmë pa dëgjuar askënd i cili ka një mendim, një sugjerim të vlefshëm për të përmirësuar qytetin tonë”, u shpreh Koçiu.

Sipas saj, “gratë në PS kanë qenë gjithmonë të mirëpritura dhe do të vazhdohet më tej me fuqizimin e tyre.

“Brenda qelizave të PS-së duhet të afrojmë gratë dhe të rinjtë. Nga java që vjen do të nisim në fakt një kalendar intensiv takimesh në terren”, shtoi ajo.

Digjitalizimi i organizatave

Ndërsa bashkëkryesuesi i PS-së Tiranë, Ervin Demo, foli për rëndësinë e digjitalizimit të organizatave, duke kërkuar që secila të ketë praninë e saj online dhe të pasqyrojë aktivitetin politik e komunitar të çdo lagjeje.

Ai tha se Tirana është shtëpia e të gjithëve dhe se besimi ndërtohet çdo ditë, përmes komunikimit të hapur, respektit dhe përgjegjësisë.

“Digjitalizimi dhe nevoja që organizata socialiste të ketë prezencën e saj në organizatën që komunikon çdo ditë. Duam që çdo organizatë të ketë praninë e saj online dhe një hapësirë ku pasqyrohet aktiviteti politik dhe jeta komunitare e çdo lagjeje. Prania fizike dhe digjitale duhet të jenë të dyja, por besimi ndërtohet pranë njerëzve. Rëndësi ka të kemi besim për të folur hapur, për të korrigjuar atë që nuk funksionon. Kjo detyrë është një marrëdhënie besimi që duhet ta ndërtojmë dhe forcojmë çdo ditë”, tha Demo. /a.g/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha