Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Llogaraja Park Kombëtar feston 60 vjetorin e shpalljes

Llogaraja Park Kombëtar feston 60 vjetorin e shpalljes
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Parku Kombëtar i Llogorasë në Vlorë po shënon 60 vjetorin e shpalljes si Park Pyjor Kombëtar, duke qëndruar si një nga pasuritë e rëndësishme natyrore të Shqipërisë.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, vlerësoi rëndësinë e parkut për biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore të vendit.

Një pasuri e mbrojtur për gjashtë dekada

“Mes gjelbërimit dhe pamjeve mahnitëse mbi detin Jon, Parku Kombëtar i Llogorasë mbetet një nga thesaret natyrore të Shqipërisë. Në vitin 2022, sipërfaqja e parkut u zgjerua në 1 769,2 hektarë, duke përfshirë një hapësirë më të gjerë të këtij ekosistemi. Gjashtë dekada në mbrojtje të kësaj pasurie të çmuar natyrore”, theksoi ministri Jaupaj.

Parku Kombëtar i Llogorasë ndodhet rreth 40 kilometra në juglindje të qytetit të Vlorës, në një pozicion të veçantë gjeografik mes detit Adriatik dhe Jonit. Ai shtrihet nga 450 deri në 2 018 metra mbi nivelin e detit, në majën e Qores, duke bashkuar peizazhe malore, pyje, kullota alpine, livadhe dhe zona shkëmbore.

Biodiversiteti i pasur

Parku dallohet për biodiversitetin e pasur, me rreth 1 400 lloje bimësh të larta dhe 15 tipa habitatesh natyrore. Në territorin e tij gjenden pyje me pishë të zezë, bredh, ah, dushk dhe rrobull, si dhe një shumëllojshmëri bimësh mjekësore dhe aromatike. Zona përbën gjithashtu një habitat të rëndësishëm për faunën e egër, ku janë identifikuar dhjetëra lloje gjitarësh, shpendësh, zvarranikësh dhe amfibësh.

Destinacion ekoturistik

Parku, prej kohësh, përbën një destinacion ekoturistik tepër të kërkuar. Shërben si urë tranziti për bregdetin e Jonit dhe ka potencial të madh për zhvillimin e ekoturizmit, sporteve malore, turizmit dhe udhëtimeve.

Parku Kombëtar i Llogorasë përdoret kryesisht për ecje në natyrë dhe tura. Shpati shkëmbor në jug të Llogorasë shërben për gara ndërkombëtare fluturimesh dhe parashutizmi.

/k.s/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha