Një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar është ekstraduar në Kosovë.
Siç njofton Policia e Kosovës, ekstradimi nga Zvicra u krye falë angazhimit të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, e cila koordinoi veprimet me strukturat e tjera policore dhe organet e drejtësisë vendase për të siguruar praninë e të dyshuarit në vend.
Detajet e ekstradimit
“Më datën 11.11.2026 u ekstradua nga Zvicra në Kosovë shtetasi i Kosovës, pasi i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, meqë ishte përfshirë në veprën penale të Dhunimit”, thuhet në njoftim.
Pas ekstradimit, sipas njoftimit, i dyshuari iu dorëzua njësiteve përkatëse të policisë DRP Gjilan për procedura të mëtutjeshme ligjore.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
“Policia e Kosovës do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale që lidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe me gjurmimin dhe arrestimin e personave e grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Burimi: insajderi.org









