Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me presidentin francez Emmanuel Macron në Pallatin Élysée.
Pas takimit, Kurti vlerësoi mbështetjen e Francës, e cila, sipas tij, ka qëndruar pranë Kosovës që nga lufta për çlirim dhe pavarësi dhe vazhdon të jetë një partnere e rëndësishme e vendit.
Ai bëri të ditur se me Macronin diskutoi mundësi të reja bashkëpunimi mes dy shteteve, integrimin euroatlantik të Kosovës dhe sigurinë rajonale. Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përkrahjes franceze për marrjen e statusit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nisma për mbrojtjen e fëmijëve
Gjatë bisedës, kryeministri shprehu vlerësimin e tij për nismën e Macronit që synon t’i mbrojë fëmijët nga rreziqet e përdorimit gjithnjë e më të gjerë të teknologjisë.
Kjo temë ishte ndër çështjet kryesore të Forumit të Paqes në Paris të këtij viti. Në këtë kuadër, Kosova iu bashkua Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve, e cila synon mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe së ardhmes së brezave të rinj.
Kurti tha se të dyja vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin për paqen, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e tyre të përbashkët evropiane.
Burimi: www.albeu.com









