Pas raportimeve mediatike për vetëplagosjen e një ushtari, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka reaguar duke konfirmuar se pjesëtari i saj ka pësuar lëndime të lehta gjatë një trajnimi.
Në njoftim thuhet se rasti ka ndodhur më parë gjatë trajnimeve rutinë në një nga poligonet e FSK-së.
Sipas kësaj komunikate, ushtria zbaton procedura të rregullta mbrojtëse për të parandaluar rreziqet nga municioni.
Deklarata e plotë
Lidhur me njoftimet e mediave për lëndimin e lehtë të një pjesëtari të FSK-së, gjatë trajnimit njoftojmë se rasti ka ndodhur më herët në një nga poligonet e FSK-së. Gjatë realizimit të trajnimeve me municion, Forca e Sigurisë së Kosovës përballet me rrezik të lartë dhe merr paraprakisht të gjitha masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut, duke përfshirë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit. Po ashtu, në çdo aktivitet të FSK-së, sipas procedurave standarde në fuqi, i bashkëngjiten ekipe mjekësore për evakuim mjekësor të mundshëm. Të gjitha masat e sigurisë janë në përputhje me standardet e sigurisë së FSK-së, njëlloj si ato të NATO-s.
FSK është e vetëdijshme se profesioni ushtarak përbën në vetvete një rrezik të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor. Megjithatë, në raport me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël falë masave të sigurisë në menaxhimin e rrezikut. Njëkohësisht, FSK mbetet e përkushtuar që vazhdimisht të rrisë sigurinë dhe të garantojë mbrojtjen e personelit.
Burimi: insajderi.org









