Me ritmin frenetik me të cilin po zhvillohet bota, ndoshta një ditë do të shpiken trenat fluturues, do të bëhet e zakonshme jeta në Mars dhe teknologjia do të gjejë zgjidhje për probleme që sot na duken të pamundura. Por ka diçka për të cilën vështirë se do të krijohet ndonjëherë një manual i pagabueshëm: prindërimi. Mund të lexojmë libra, të dëgjojmë ekspertë, të ndjekim këshilla dhe të mendojmë se jemi përgatitur për këtë rol. Por kur gjendemi përballë realitetit të të qenit prind, kuptojmë se asgjë nuk e zëvendëson përvojën. Ndonjëherë, ajo që të ndihmon më shumë është të dëgjosh një histori të ngjashme me tënden, të rrëfyer nga një prind tjetër. Dhe kur ky rrëfim vjen nga një personazh që mund ta kesh admiruar për shkëlqimin e tij në ekran, ndjesia është edhe më e vërtetë. Kupton se edhe një yll i ekranit mund të përjetojë të njëjtat sfida që po kalon ti, unë apo kushdo tjetër. Ndaj një përgëzim dhe vlerësim shkon për personazhet e njohur shqiptarë që kanë zgjedhur të flasin hapur për rrugëtimin e tyre me fëmijët me nevoja të veçanta. Përtej famës, suksesit dhe imazhit publik, ata kanë ndarë me ne një pjesë shumë intime të jetës, duke treguar se edhe prindërit që shohim në ekran përballen me pasiguri, pyetje, frikëra dhe, mbi të gjitha, me një dashuri të pakushtëzuar. Një histori e ngjashme të bën të mos ndihesh vetëm. Të jep ndjesinë se dikush të dëgjon, të kupton dhe e di çfarë po kalon, edhe pa qenë nevoja t’ia shpjegosh të gjitha. Dhe ndoshta ky është një nga kontributet më të bukura që mund të japë një rrëfim i sinqertë publik.
Arta Bajrami
E ftuar së fundmi në “Live me Luizin”, këngëtarja foli me një qasje shumë personale për dy fëmijët e saj, Ideal dhe Elektra, të cilët janë në spektrin e autizmit. Arta tregoi se është përpjekur ta njohë dhe ta pranojë këtë realitet, pa e përjetuar si vuajtje, por duke gjetur gëzim në botën e veçantë të fëmijëve të saj. “Jam munduar të hyj në autizmin, ta pranoj dhe të kënaqem me të”, ishte një nga mesazhet e saj më domethënëse.

Jonida Maliqi
Këngëtarja ka rrëfyer hapur për rrugëtimin e djalit të saj, Danit, i diagnostikuar në spektrin e autizmit. Ajo ka folur për vështirësitë e fillimit, por edhe për përparimin e të birit, i cili sot flet dy gjuhë dhe ndjek shkollën. “Ai më ka përsosur si qenie”, është shprehur Jonida, duke treguar se mëmësia i ka zbuluar një forcë që nuk e dinte se e kishte.

Edmond Tupja
Shkrimtari e ka kthyer përvojën e tij me të birin, Gesin, në një rrëfim të sinqertë për dashurinë, durimin dhe përgjegjësinë prindërore. Ai ka folur edhe për momentet e vështira të familjes, për netët pa gjumë dhe për një çast kur, pas një reagimi të tij të gabuar, i biri i tha: “Të kam xhan o ba”. Një fjali që, siç ka treguar Tupja, e tronditi dhe e ndryshoi përgjithmonë.

Meriton Mjekiqi
Gjatë pjesëmarrjes në “Big Brother VIP Albania”, moderatori zgjodhi të fliste publikisht për djalin e tij, Loarin, i cili është në spektrin e autizmit. Rrëfimi i tij ishte veçanërisht emocional, pasi foli për mallin dhe dëshirën për të qenë pranë të birit, duke shpjeguar se kjo përvojë ishte një nga arsyet që e kishte shtyrë të bëhej pjesë e formatit.

Kastro Zizo
Në një intervistë për Top Albania Radio, këngëtari foli për vajzën e tij, Mia, dhe zbuloi se ajo është në spektrin e autizmit. Kastro ndau emocionet e zbulimit të diagnozës pas një periudhe të gjatë larg saj, duke treguar se dëshironte të mësonte sa më shumë për botën e së bijës dhe të ishte pranë saj.
Burimi: bordo.al










