Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Kanceri i qafës së mitrës në rënie falë testimeve të rregullta

Kanceri i qafës së mitrës në rënie falë testimeve të rregullta
Foto: rtsh.al

Ndryshe nga tendenca që shfaqin disa prej sëmundjeve të tjera tumorale, kanceri i qafës së mitrës në Shqipëri po shënon një rënie të rasteve të reja. Të dhënat tregojnë se incidenca është ulur mesatarisht me 2.6% në vit.

Rënia e rasteve në vite

“Nëse në vitin 2015 regjistroheshin 133 raste, në vitin 2025 numri ka zbritur në rreth 100 raste”, u shpreh specialistja e ISHP-së, Ediona Kola.

Programi kombëtar i depistimit

Ulja sipas ekspertëve i dedikohet programit kombëtar të depistimit, ku vetëm vitin e kaluar u kryen 12 mijë teste të HPV. Nga këto teste u identifikuan 25 raste prekanceroze, duke e parandaluar zhvillimin e kancerit.

“Por një rezultat pozitiv për HPV nuk duhet të shkaktojë alarm. Prania e virusit nuk nënkupton se gruaja ka kancer, por kërkon kontrolle dhe ndjekje të mëtejshme mjekësore. Sipas të dhënave të depistimit, pozitiviteti ndaj HPV-së varion nga 5 deri në 10%, ndërsa rreth 25 raste me ndryshime prekanceroze identifikohen në faza të hershme, duke krijuar mundësinë e ndërhyrjes përpara zhvillimit të sëmundjes“, tha ajo.

Objektivi i OBSH-së për 2030

Objektivi që OBSH ka vendosur është eliminimi i këtij kanceri deri në 2030, duke e ulur incidencën në 4 raste për 100 mijë banorë. Teorikisht, kjo do të duhet të përkthehet në:

“90% e vajzave duhet të vaksinohen kundër HPV-së, 70% e grave të depistohen me teste me performancë të lartë dhe 90% e grave të identifikuara me ndryshime prekanceroze apo kancer të marrin trajtimin e nevojshëm“, u shpreh specialistja.

Thirrja e ISHP-së

Shqipëria e ka përfshirë testin HPV në programin kombëtar të depistimit që prej vitit 2019. ISHP i bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave t’i drejtohen qendrave shëndetësore për kryerjen e testit, me qëllim parandalimin sa më të hershëm të këtij tumori.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha