Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Gastriti erozive dhe hemorragjik mund të çojë në komplikacione serioze

Gastriti erozive dhe hemorragjik mund të çojë në komplikacione serioze
Foto: rtsh.al

Gastriti eroziv dhe ai hemorragjik janë forma më të ndërlikuara të inflamacionit të mukozës së stomakut, të cilat mund të shoqërohen me dëmtime të sipërfaqes së saj dhe gjakderdhje. Mjekja gastrohepatologe Erjola Gjika shpjegon këto dy forma të gastritit, duke filluar me karakteristikat e tyre dhe faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre.

Simptomat dhe shkaktarët

“Është dëmtimi i mukozës së stomakut, por që shoqërohet edhe me erozione, me gërvishtje, me dëmtim që shoqërohet më pas me hemorragji. Pacienti vjen për një ankesë standarde: dhimbje në stomak, neveri, fryrje. Por mund të vijnë edhe me ankesa më të rënda, si të vjella me gjak, melenë apo defekim me ngjyrë të zezë. Alkooli është shkaktari kryesor i gastritit eroziv. Përdorimi i medikamenteve anti-inflamatore, si aspirina, dhe i antikoagulantëve të tjerë mund të ndikojë gjithashtu.”, thotë Erjola Gjika, mjeke gastrohepatologe.

Diagnostikimi dhe trajtimi

Diagnostikimi i saktë përcakton edhe mënyrën e trajtimit.

“Diagnostikimi i gastritit eroziv dhe hemorragjik bëhet me endoskopi, dhe trajtimi varet nga gjetjet. Ka raste kur duhet ndërhyrë mekanikisht. Bëjmë sklerotizimin e enës, të hemorragjisë, kur është diçka që duhet ndikuar. Përndryshe përdoren medikamente, si frenuesit e pompës së protonit, dhe dietë me gjëra të lëngshme dhe të ftohta. Është një sëmundje që rikuperohet shpejt kur kapet në kohën e duhur.”, thekson Gjika.

Parandalimi dhe kujdesi

Kujdesi ndaj shëndetit të stomakut dhe konsultimi me mjekun në rast të simptomave shqetësuese ndihmojnë në diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të këtyre patologjive. Gjakderdhja nga stomaku kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor.

Gazetare: Blerta Cina / Operator: Medin Guri / Montazhi: Laidan Dani

/rtsh/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha