Interesi për vaksinimin kundër HPV-së vijon të jetë i lartë që nga momenti kur kjo vaksinë u përfshi në kalendarin kombëtar. Fillimisht, procesi nisi për vajzat 13-vjeçare, ndërsa që nga 1 janari i këtij viti edhe djemtë e kësaj moshe kanë mundësi ta kryejnë atë.
Si funksionon vaksinimi
“Vaksina ndaj HPV-së është pjesë e kalendarit të vaksinimit që në vitin 2022. Fillimisht e kemi aplikuar tek vajzat 13-vjeçare. Aktualisht, që nga 1 janari 2026, është pjesë e kalendarit të vaksinimit edhe për djemtë. Ajo aplikohet me një dozë. Të gjithë djemtë dhe vajzat 13-vjeçare marrin në atë ditë dy vaksina: vaksinën ndaj HPV-së dhe vaksinën ndaj tetanoz-difterisë, të dyja shumë të rëndësishme. Vaksina ndaj HPV-së i mbron ndaj disa llojeve të kancerit, si vajzat ashtu edhe djemtë”, tha Rovena Daja, mjeke epidemiologe.
Vaksina 9-valente
Në përgjigje të kërkesave të prindërve, programi i vaksinimit është zgjeruar me vaksinën e re 9-valente, e cila ofron mbrojtje ndaj nëntë tipeve të HPV-së të lidhura me kancerin e qafës së mitrës dhe llojeve të tjera të kancerit. Ndryshe nga vaksina 4-valente, ajo ofron mbrojtje edhe ndaj pesë tipeve të tjera të virusit.
“Është një vaksinë 9-valente që përmban brenda saj nëntë shtame të HPV-së, pra i mbron ato ndaj nëntë llojeve të HPV-së. Fillimisht futëm vaksinën 4-valente dhe, me kërkesat që kishim nga prindërit, kaluam në vaksinën 9-valente. Ndërkohë, me kërkesat e tyre, përveç vajzave futëm edhe djemtë. Pjesa më e madhe e prindërve e pranojnë këtë vaksinë dhe e kërkojnë atë. Mbulesa vaksinale është mbi 50%, por ka dhe shumë prindër që mund të jenë skeptikë, sepse ndoshta mendojnë se është një vaksinë e re, por në fakt nuk është një vaksinë e re”, shtoi Daja.
Kërkesa nga moshat më të rritura
Shefja e programit kombëtar të vaksinimit, Rovena Daja, bën të ditur se kërkesa për vaksinim ka pasur edhe nga vajza dhe djem më të rritur, të moshës 14 deri në 20 vjeç. Sipas saj, edhe kjo grupmoshë mund të përfitojë vaksinën falas në çdo qendër shëndetësore.
Burimi: lajmifundit.al










