Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Bill Gates predikon mbrojtjen e klimës, por profiton nga metani

Bill Gates predikon mbrojtjen e klimës, por profiton nga metani
Foto: shqiptarja.com

Bill Gates, një nga zërat më të njohur në luftën kundër ndryshimeve klimatike, zotëron 38% të aksioneve të Republic Services, kompanisë së dytë më të madhe të vendgrumbullimeve të mbetjeve në SHBA, me një vlerë prej 29 miliardë dollarësh. Një hetim i ProPublica zbulon se në impiantet e kompanisë janë konstatuar rrjedhje metani deri në 300 herë mbi kufijtë e lejuar.

[Bill Gates] ka ndërtuar imazhin e një prej njerëzve më të angazhuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike, por prej vitesh fiton miliarda dollarë nga industria e mbetjeve në SHBA.

Një hetim i ProPublica zbulon se Republic Services, kompania e dytë më e madhe e vendgrumbullimeve të mbetjeve në SHBA, ku Gates zotëron 38% të aksioneve me vlerë 29 miliardë dollarë, ka pasur rrjedhje metani shumë herë mbi kufijtë e lejuar. Kompania ka raportuar ulje të ndotjes edhe kur matjet satelitore në një prej impianteve tregonin rritje, si dhe ka kundërshtuar politika për kufizimin e emetimeve.

Gates ka përfituar 2.6 miliardë dollarë nga dividendët e Republic Services që prej investimit të tij në vitin 1999.

Metani krijohet nga dekompozimi i mbetjeve organike nën tokë dhe është një gaz që ndikon fuqishëm në ngrohjen globale. Sipas raportimeve të vetë kompanisë, ndotja klimatike që ajo prodhon çdo vit është e krahasueshme me atë të 3 milionë makinave me benzinë.

Çfarë zbuluan inspektorët?

Nga viti 2020, inspektorët e Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) kanë kontrolluar të paktën 39 nga rreth 200 vendgrumbullimet e Republic Services. Ata kanë dokumentuar mbi 1 400 pika ku metani çlirohej në nivele mbi kufijtë federalë. Në disa raste, përqendrimi i gazit ishte 100 deri në 300 herë më i lartë se kufiri i lejuar, duke krijuar rrezik shpërthimi.

Në vendgrumbullimin McCarty Road në Hjuston, inspektorët konstatuan probleme me sistemin e mbledhjes së gazit, puse të përmbytura, dëmtime të sipërfaqes dhe mbetje të ekspozuara. EPA arriti në përfundimin paraprak se kompania kishte dështuar për vite me radhë të identifikonte rrjedhje mbi kufijtë e lejuar.

Në shtator 2024, EPA paralajmëroi për shkelje të kërkesave të monitorimit dhe mirëmbajtjes në vendgrumbullimet amerikane. Nga dokumentet e siguruara nga ProPublica rezultoi se një e pesta e impianteve të përfshira në këtë paralajmërim i përkisnin Republic Services.

Kompania raportonte më pak ndotje, satelitët matën më shumë

Republic Services deklaron se ka ulur me 20% emetimet e metanit nga vendgrumbullimet që prej vitit 2017. Por kjo shifër nuk mbështetet zakonisht në matjen e drejtpërdrejtë të metanit që del në atmosferë. Kompania llogarit sasinë e gazit të mbledhur nga sistemet e saj dhe, mbi këtë bazë, përllogarit sa mund të ketë shpëtuar.

Një studim i vitit 2025 nga studiues të Harvardit, NASA-s dhe Carbon Mapper shqyrtoi dy vendgrumbullime të Republic Services. Në njërin prej tyre, kompania kishte raportuar rënie të emetimeve, ndërsa matjet satelitore treguan rritje gjatë një periudhe katërvjeçare.

Një tjetër studim zbuloi se dy vendgrumbullimet me emetimet më të larta të metanit, mes rreth 70 impianteve të mëdha amerikane të analizuara në vitin 2019, i përkisnin Republic Services.

Në vendgrumbullimin National Serv-All në Indiana, studiuesit matën 13 herë më shumë metan sesa kishte raportuar kompania tek autoritetet. Mospërputhje mes matjeve dhe raportimeve u konstatuan në rreth tre të katërtat e impianteve të Republic Services të përfshira në studim.

Mbi 1 miliard dollarë për të ulur ndotjen, por kompania nuk miratoi objektivat e reja

Në vitin 2019, Republic Services premtoi të ulte emetimet me 35% deri në vitin 2030, duke iu bashkuar nismës ndërkombëtare Science Based Targets Initiative.

Dy vite më vonë, kjo nismë vendosi objektiva më ambicioze. Konkurrenti kryesor i Republic Services, Waste Management, i pranoi ato. Republic Services jo. Sipas një ish-punonjësi që foli për ProPublica, kompania kishte përllogaritur se përmbushja e objektivave të reja mund të kërkonte mbi 1 miliard dollarë investime shtesë për puse gazi dhe përmirësime të tjera.

Çështja iu paraqit bordit gjatë vitit 2024, por kompania nuk i miratoi objektivat e reja. Ndërkohë, sipas analizës së ProPublica, Republic Services ka shpenzuar mbi 8 miliardë dollarë për të blerë aksionet e veta në treg, një veprim që mund të rrisë vlerën e aksioneve të investitorëve.

Kundërshtoi edhe masat për kontrollin e ndotjes

Hetimi zbulon se Republic Services ka mbështetur kundërshtimin e politikave që synojnë kontroll më të rreptë të metanit. Kur EPA shqyrtoi përdorimin e satelitëve dhe dronëve për monitorimin e vendgrumbullimeve, dy shoqata të industrisë, në bordet e të cilave marrin pjesë drejtues të Republic Services, kërkuan që përdorimi i këtyre teknologjive të mbetej kryesisht vullnetar.

Kompania, së bashku me industrinë, kundërshtoi edhe një politikë federale për të kufizuar depozitimin e mbetjeve organike në vendgrumbullime.

Këto mbetje janë burimi kryesor i metanit. ProPublica sjell shembullin e Gjermanisë, e cila nisi në vitin 1993 kufizimin gradual të depozitimit të mbetjeve të biodegradueshme. Emetimet e metanit nga vendgrumbullimet gjermane kanë rënë që atëherë me mbi 90%.

A ishte në dijeni Bill Gates?

Gates ka investuar të paktën 2 miliardë dollarë në teknologji të pastra dhe u ka kërkuar bizneseve të mos pengojnë politikat kundër ndryshimeve klimatike, edhe kur ato mund të ulin fitimet. Në vitin 2019, ai shiti aksionet e kompanive të naftës dhe gazit, duke shpjeguar se nuk donte të përfitonte nga mungesa e alternativave me emetime zero. Por aksionet e Republic Services i mbajti. Menaxheri i tij shumëvjeçar i investimeve, Michael Larson, është pjesë e bordit të Republic Services që prej vitit 2009. Edhe një tjetër këshilltar i lartë i kompanisë që administron investimet e Gates merr pjesë në diskutimet e bordit.

Sipas një anëtari të bordit të cituar nga ProPublica, drejtuesit marrin informacione të rregullta edhe për çështjet ligjore dhe përpjekjet e kompanisë për të ndikuar në politikat publike.

Republic Services i ka mbrojtur rezultatet e saj mjedisore dhe ka deklaruar se punon për zgjidhjen e problemeve të identifikuara. Gates nuk iu përgjigj kërkesave të ProPublica për koment.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha