Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Ekonomistët paralajmërojnë krizë të rëndë buxhetore në Gjermani

Ekonomistët paralajmërojnë krizë të rëndë buxhetore në Gjermani
Foto: ata.gov.al

BERLIN, 14 nëntor /ATSH-DPA/ Gjermania po ecën drejt një krize serioze buxhetore, paralajmërojnë ekonomistët, të cilët shprehin shqetësim për rritjen e shpenzimeve publike dhe të borxhit të vendit.

Paralajmërimi i ekonomistëve

“Politika aktuale buxhetore nuk mund të jetë e qëndrueshme në planin afatgjatë”, deklaroi Clemens Fuest, president i Institutit “Ifo” në Mynih, në një intervistë për gazetën “Die Welt”.

Koalicioni qeverisës i kancelarit Friedrich Merz, i përbërë nga Unioni Demokristian (CDU), partia e tij simotër bavareze CSU dhe Socialdemokratët (SPD), duhet të përcaktojë qartë prioritetet e shpenzimeve për buxhetin federal të vitit 2028.

Sipas ekonomistëve, mbrojtja dhe infrastruktura duhet të jenë ndër sektorët kryesorë që do të marrin financime.

Fuest theksoi se të gjitha shpenzimet e tjera duhet të mbahen në nivelin aktual ose, kur të jetë e mundur, të zvogëlohen.

Në të kundërt, nëse koalicioni qeverisës nuk është i gatshëm të ndërmarrë këto masa, rritja e taksave do të bëhet e pashmangshme.

Buxheti me shpenzime rekord

Paralajmërimi vjen në një moment kur Gjermania po përgatit një buxhet me shpenzime rekord.

Komisioni i Buxhetit i Bundestagut, dhoma e ulët e parlamentit gjerman, miratoi një projektbuxhet paraprak për vitin 2027, pas gati 16 orësh negociatash.

Shpenzimet në buxhetin kryesor pritet të arrijnë një rekord prej 561 miliardë eurosh, ndërsa huamarrja e re neto vetëm në këtë buxhet do të jetë afro 123 miliardë euro.

Këtyre u shtohen edhe miliarda euro të tjera në formën e kredive përmes fondeve të posaçme.

Në total, borxhi i ri i parashikuar për Gjermaninë arrin në rreth 210 miliardë euro, duke shtuar presionin mbi financat publike.

Rreziqet për vitet e ardhshme

Ekonomistët paralajmërojnë se pa një rishikim të prioriteteve dhe një kontroll më të fortë të shpenzimeve, vendi mund të përballet me vështirësi serioze në financimin e politikave të tij ekonomike dhe sociale në vitet e ardhshme. /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha