Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje strukturave të Partisë Socialiste të mobilizohen plotësisht, duke e përshkruar momentin aktual politik si një “takim të shumëpritur me historinë” dhe duke kërkuar nga çdo anëtar angazhim maksimal për të çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian.
Mbështetja zgjedhore si mandat
Duke iu referuar mbështetjes së marrë në zgjedhje, të cilën e quajti “votë plebishitare”, Rama u ndal te kritikat e hershme të kundërshtarëve politikë dhe të disa zërave mediatikë, sipas të cilëve mazhoranca duhej të ishte më e madhe. Sipas tij, kjo shumicë është thelbësore për funksionimin e shtetit dhe për miratimin e reformave.
“Shqipëria e sotme ka një perspektivë më konkrete se kurrë dhe ndodhet më afër takimit të shumëpritur me historinë. Kemi marrë një votë plebishitare me këtë kërkesë. Ju kujtohet kur gjithë këto grykët që dilnin nga bulcitë mediatike thoshin se i duhet një shumicë më e madhe, të bëhet si Putin, si Erdogan. Përfytyroni sikur populli të ishte kaq mangët sa këta, e mos na kishte dhënë mandatin që na dha sot, do ishim pengesë dhe nuk do kalonim dot asnjë nga ligjet.”
Thirrja për mobilizim
Rama theksoi se përgjegjësia është historike dhe duhet ndjerë individualisht nga secili anëtar. Sipas tij, të gjitha qelizat e PS-së duhet të mobilizohen dhe “gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë”. Ai tha se kjo përgjegjësi duhet përmbushur për të përgatitur atë takim ku Shqipëria do të jetë “ylli i ri i Evropës”, dhe se Evropa do të flasë edhe “gjuhën e vjetër shqipe”.
Kreu i qeverisë kërkoi që anëtarët të punojnë pa pushim dhe të mbështesin njerëzit dhe komunitetet, “që na e kanë dhënë ne këtë privilegj”, në mënyrë që të mund të thonë me krenari se kanë qenë pjesë e “ngjarjes më të rëndësishme të historisë”. Ai shtoi se Shqipëria nuk mund të ndalet asnjë minutë për shkak se kundërshtarët e saj nuk pajtohen me arritjet e saj, dhe përfundoi duke thënë se duhet t’u kthehemi “me përulësi te njerëzit”.
Burimi: abcnews.al










